Luka 1:68-79
Luka 1:68-79 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, se erdhi dhe shpengoi popullin e tij. Ai ngriti për ne bririn e shpëtimit në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet, siç e kishte thënë me gojën e profetëve të tij të shenjtë që prej shekujsh; shpëtim nga armiqtë tanë dhe nga dora e të gjithëve atyre që na urrejnë, për të treguar mëshirë me etërit tanë e për t'u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë; për betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë, për të na lejuar që, pasi të na çlironte nga duart e armiqve tanë, t'i shërbenim pa frikë, në shenjtëri e në drejtësi para tij për të gjitha ditët e jetës sonë. Dhe ti, foshnjë, do të quhesh profet i të Tejlartit, se do të ecësh përpara Zotit për të përgatitur udhët e tij, për t'i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit me anë të faljes së mëkateve, falë dhembshurisë së mëshirshme të Perëndisë tonë, me të cilën do të na vijë së larti agimi, që shndrit mbi ata që rrinë në errësirë e në hijen e vdekjes dhe për të drejtuar hapat tanë në udhën e paqes».
Luka 1:68-79 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet; dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet, ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë, për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t'u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë, betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë, për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t'i shërbejmë pa frikë, në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë. Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij, për t'i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre; për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar, për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes''.