Luka 1:35-46
Luka 1:35-46 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t'i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj. Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». Maria tha: «Gjithë qenia ime e madhëron Zotin
Luka 1:35-46 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: ''Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë. Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë, sepse me Perëndinë asgjë s'është e pamundshme''. Atëherë Maria tha: ''Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate''. Dhe engjëlli u largua prej saj. Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë, dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën. Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë, dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: ''Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd. Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë? Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim. Tani, e lum është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!''. Dhe Maria tha: ''Shpirti im e madhëron Zotin