Luka 1:30-38
Luka 1:30-38 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t'ia vësh emrin Jezu. Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim». Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?». Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t'i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj.
Luka 1:30-38 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe engjëlli i tha: ''Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t'ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur''. Dhe Maria i tha engjëllit: ''Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?''. Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: ''Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë. Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë, sepse me Perëndinë asgjë s'është e pamundshme''. Atëherë Maria tha: ''Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate''. Dhe engjëlli u largua prej saj.