Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 1:26-46

Luka 1:26-46 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret, te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari. Engjëlli shkoi tek ajo e i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me ty». Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje. Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t'ia vësh emrin Jezu. Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim». Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?». Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t'i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj. Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». Maria tha: «Gjithë qenia ime e madhëron Zotin

Luka 1:26-46 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret, te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria. Dhe engjëlli hyri tek ajo dhe tha: ''Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë''. Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë. Dhe engjëlli i tha: ''Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t'ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur''. Dhe Maria i tha engjëllit: ''Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?''. Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: ''Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë. Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë, sepse me Perëndinë asgjë s'është e pamundshme''. Atëherë Maria tha: ''Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate''. Dhe engjëlli u largua prej saj. Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë, dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën. Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë, dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: ''Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd. Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë? Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim. Tani, e lum është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!''. Dhe Maria tha: ''Shpirti im e madhëron Zotin