Levitiku 6:1-7
Levitiku 6:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI i tha Moisiut: «Jepi këtë urdhër Aronit e bijve të tij: ky është udhëzimi për flinë e shkrumbimit: flija e shkrumbimit të vendoset mbi vatrën e zjarrit të altarit gjatë gjithë natës, deri në mëngjes. Zjarri i altarit të mbahet ndezur. Prifti, i veshur me petkun dhe mbathjet prej liri, të mbledhë prej altarit hirin e flisë së shkrumbimit, që ka djegur zjarri, e ta derdhë pranë altarit. Mandej, t'i heqë ato rroba e të veshë të tjera dhe ta çojë hirin jashtë fushimit, në një vend të pastër. Zjarri mbi altar të mbahet ndezur dhe të mos lihet të shuhet. Çdo mëngjes, prifti ta ushqejë me dru, të vendosë mbi të flinë e shkrumbimit e të djegë mbi të dhjamin e flive të paqtimit. Zjarri mbi altar të rrijë përherë ndezur e të mos shuhet. Ky është udhëzimi për flinë e drithit: flinë e drithit e paraqesin para altarit në prani të ZOTIT bijtë e Aronit.
Levitiku 6:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Zoti i foli Moisiut, duke thënë: "Në qoftë se dikush mëkaton dhe bën një shkelje kundër Zotit, duke u sjellë në mënyrë të gënjeshtërt me fqinjin e tij lidhur me një depozitë, ose me një peng apo për një vjedhje, ose ka mashtruar fqinjin e tij, o sepse ka gjetur një gjë të humbur dhe ka gënjyer lidhur me të dhe është betuar në mënyrë të rreme, për çfarëdo gjë njeriu mund të mëkatojë në veprimet e tij, atëherë, në qoftë se ka mëkatuar dhe është fajtor, ai duhet të rikthejë atë që ka vjedhur, apo gjënë e zhvatur me mashtrim, ose depozitën që i është besuar apo sendin e humbur që ka gjetur, ose të gjitha ato për të cilat është betuar në mënyrë të rreme. Jo vetëm do t'i kthejë plotësisht, por do t'u shtojë një të pestën dhe do t'ia dorëzojë të zotit në po atë ditë të ofertës së tij për shkeljen. Pastaj do t'i sjellë priftit ofertën e tij për shkeljen përpara Zotit: një dash pa të meta, të marrë nga kopeja sipas vlerësimit tënd, si ofertë për shkeljen. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për të përpara Zotit, dhe do t'i falet çdo faj për të cilin është bërë fajtor".