Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Levitiku 23:1-14

Levitiku 23:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

ZOTI i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: këto janë të kremtet e ZOTIT, të cilat do t'i shpallni si mbledhje të shenjta. Ja cilat janë këto të kremte: do të punoni gjashtë ditë, ndërsa dita e shtatë do të jetë e shtunë, ditë pushimi e plotë dhe mbledhje e shenjtë. Mos bëni asnjë punë, sepse e shtuna është në nder të ZOTIT në të gjitha vendbanimet tuaja. Këto janë të kremtet e ZOTIT, mbledhjet e shenjta që do të kremtoni në kohën e caktuar për to. Në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë, në mbrëmje, kremtohet Pashka në nder të ZOTIT. Ditën e pesëmbëdhjetë të po këtij muaji festohet e kremtja e Bukëve të ndorme në nder të ZOTIT. Për shtatë ditë hani bukë të ndorme. Ditën e parë bëni një mbledhje të shenjtë e mos punoni. Për shtatë ditë t'i kushtoni ZOTIT fli zjarri. Edhe ditën e shtatë bëni një takim të shenjtë e mos punoni». ZOTI i tha Moisiut: «Fol me izraelitët e thuaju: kur të hyni në tokën që po ju jap dhe të korrni prodhimet e saj, dorëzën e parë të korrjes çojeni te prifti. Prifti ta lartësojë dorëzën para ZOTIT, që t'ju pranohet. Prifti ta lartësojë në ditën pas së shtunës. Ditën që lartësoni dorëzën, kushtojini ZOTIT si fli shkrumbimi një qengj motak të patëmetë. Flija e drithit, që do të kushtoni bashkë me të, të jetë gjashtë kilogramë majë mielli përzier me vaj si fli erëkëndshme zjarri për ZOTIN, ndërsa flija e stërpikjes të jetë një litër e gjysmë verë. Mos hani as bukë, as kokrra të pjekura e as kallinj të njomë deri ditën që do t'i kushtoni flinë Perëndisë tuaj. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në të gjitha vendbanimet tuaja».

Levitiku 23:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Ja festat e Zotit, që ju do t'i shpallni si mbledhje të shenjta. Festat e mia janë këto: Do të punohet gjashtë ditë, por dita e shtatë është një e shtunë pushimi dhe mbledhjeje të shenjtë. Atë ditë nuk do të bëni asnjë punë; është e shtuna e shenjtëruar Zotit në të tëra vendet ku do të banoni. Këto janë festat e Zotit, mbledhjet e shenjta që ju do t'i shpallni në kohën e tyre. Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit, midis dy mbrëmjeve, bien Pashkët e Zotit; dhe ditën e pesëmbëdhjetë të po atij muaji bie festa e bukës së ndorme për nder të Zotit; për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Ditën e parë do të bëni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë; dhe për shtatë ditë do t'i ofroni Zotit flijime të bëra me zjarr. Ditën e shtatë do të bëhet një mbledhje e shenjtë; gjatë asaj dite nuk do të bëni asnjë punë të rëndë". Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Kur do të hyni në vendin që unë po ju jap dhe do të kryeni të korrat, do t'i çoni priftit një demet si prodhim i parë i korrjes suaj; Ai do ta tundë demetin përpara Zotit për ju, me qëllim që të pëlqehet; prifti do ta tundë një ditë pas së shtunës. Ditën gjatë së cilës do të tundni demetin, do t'i ofroni një qengj motak, pa të meta, si holokaust për Zotin. Blatimi i ushqimit që do ta shoqërojë do të jetë dy të dhjeta të efës majë mielli të përzier me vaj, si flijim i bërë me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin; libacioni do të jetë një çerek hin verë. Nuk do të hani as bukë, as grurë të pjekur, as kallëza të freskëta, deri në atë ditë, derisa të mos keni çuar ofertën e Perëndisë tuaj. Ky është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaja, në të gjitha vendet ku do të banoni.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë