Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Vajtimet 1:1-22

Vajtimet 1:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ah, sa e vetmuar mbeti qyteza dikur shumë e populluar! Mbeti e ve madhështorja ndër kombe, princesha e krahinave u nënshtrua. Bërtet e qan gjatë natës me lot për faqe, nuk gjendet asnjë ngushëllues ndër të gjithë dashnorët e saj. E tradhtuan të gjithë miqtë e iu bënë armiq. U shpërngul Juda me pikëllim e skllavërim të rëndë. Zuri vend ndër kombe, por nuk gjen prehje. Të gjithë përndjekësit e kanë shkapërcyer nëpër ngushtica. Duke vajtuar janë udhët e Sionit, se nuk ka kush vjen për festa. Të gjitha portat i janë rrënuar, priftërinjtë i rënkojnë, vashat janë në zi, se i ra fat i hidhur. Hakërruesit e saj u bënë kryeprijës, armiqtë e saj janë të sigurt, se ZOTI e pikëlloi prej shkeljeve të shumta, fëmijët iu bënë robër para armikut. Vezullimi iku i tëri prej bijës së Sionit. Prijësit i janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë. Ikin pa fuqi prej përndjekësve. Zë e kujton Jerusalemi, në ditët e pikëllimit e të përendjes, të gjitha begatitë e qëmoçme. Kur popullsia i ra në dorë armikut, pa i dalë zot askush, gërgasësit e panë e u zgërdhinë me shuarjen e tij. Hidhur mëkatoi Jerusalemi, prandaj u bë ndyrësirë. E përçmojnë ata që e nderonin, se ia panë lakuriqësinë. Edhe ai vetë rënkon e spërdridhet. Tërë papastërti e bëri tunikën pa u kujtuar për të ardhmen. U plandos me tmerr pa asnjë ngushëllim. «Shikoje, o ZOT, pikëllimin tim, se armiku im u madhërua». Ja, gërgasësi e ka shtrirë dorën mbi të gjitha begatitë e tij. Pa kombet tek hynin në shenjtërore, ata që pate urdhëruar të mos hynin në bashkësinë tënde. Krejt popullsia e tij rënkon duke lypur bukë. Japin gjënë më të shtrenjtë për ushqim, që t'u kthehet fryma. Shiko, o ZOT, e vërej sa jam poshtëruar. Lojë qenka për të gjithë që kaloni udhës?! Vëreni e shikoni, nëse ka brengë si brenga ime, që më ra mua, që ma lëshoi ZOTI, kur u ndez zemërimi i tij. Ma lëshoi zjarrin prej së larti, e ngërtheu në eshtrat e mia. Më hodhi rrjetën këmbëve, më ktheu përmbys. Më bëri të shkretë, leckë të përmuajshmesh përngaherë. Në zgjedhë m'u lidhën shkeljet, u thurën me dorën e tij. Më rëndojnë në qafë, më është mekur fuqia. Zoti më la në dorën e tyre e nuk mund t'u bëj ballë. Sojin e trimave të mi e e përmbysi Zoti mes meje. Ai më caktoi një kohë për të m'i shtypur të rinjtë. Në tork e shtrydhi Zoti virgjëreshën, bijën e Judës. Ajo është arsyeja pse qaj. Sytë më derdhin lot, se m'u largua ngushëlluesi, ai që ma përtërin shpirtin. Bijtë e mi u shkretuan, se armiku ngadhënjeu. Shtrin duart Sioni, por nuk ka ngushëllues për të. ZOTI dha urdhër për Jakobin të rrethohej me armiq. Jerusalemi u bë leckë të përmuajshmesh mes tyre. Cenova fjalën e tij, prandaj i drejtë është ZOTI. Dëgjomëni, o popuj të gjithë, shikojeni brengën time! Vashëzat e djelmoshat e mi shkuan në robëri. Kërkova dashnorët e mi, por më mashtruan. Priftërinjtë e pleqtë e mi në qytet u vranë, tek lypnin të hanin për të përtërirë frymën. Rënkimin tim shikoje, o ZOT! M'u pështjelluan zorrët, më dridhet zemra në kraharor, se u tregova kryeneç. Përjashta është shpata shfarosëse, në shtëpi, si të ketë hyrë vdekja. Shëmimin tim e dëgjojnë, por s'gjendet ngushëllues për mua. Tërë armiqtë e dëgjuan rënkimin tim, u gëzuan, se ti e ke shkaktuar. Sille ditën që pate shpallur e do të bëhen si unë. Të dalë para teje tërë ligësia e tyre, vepro me ta siç veprove me mua, për shkak të tërë shkeljeve të mia, se të shumta janë rënkimet e mia e po më lëshon zemra.

Vajtimet 1:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Si qëndron vallë i vetmuar qyteti që ishte plot e përplot me popull? E madhja midis kombeve është bërë si një e ve; princesha midis provincave i është nënshtruar haraçit. Ajo qan me hidhërim natën, lotët vijëzojnë faqet e saj; midis gjithë atyre që e donin nuk ka njeri që ta ngushëllojë; tërë miqtë e saj e kanë tradhtuar, janë bërë armiq të saj. Juda ka shkuar në robëri, mbi të rëndojnë pikëllimi dhe një skllavëri e rëndë; ai banon midis kombeve, nuk gjen prehje; tërë përndjekësit e tij e kanë arritur midis fatkeqësive. Rrugët e Sionit mbajnë zi, sepse askush nuk vjen më në festat solemne; tërë portat e tij janë të shkreta, priftërinjtë e tij psherëtijnë, virgjëreshat e tij hidhërohen dhe ai është në trishtim. Kundërshtarët e tij janë bërë sundimtarë, armiqtë e tij begatohen, sepse Zoti e ka mjeruar për shkak të morisë së shkeljeve të tij; fëmijët e tij kanë shkuar në robëri përpara armikut. Vajza e Sionit ka humbur tërë madhështinë e saj; krerët e tij janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë; ecin pa forca përpara atyre që i ndjekin. Në ditët e trishtimit të tij dhe të endjes Jeruzalemi kujton tërë të mirat e çmuara që zotëronte qysh nga ditët e lashta. Kur populli i tij binte në dorë të armikut dhe askush nuk i vinte në ndihmë, kundërshtarët e tij e shikonin dhe qeshnin me shkatërrimin e tij. Jeruzalemi ka mëkatuar rëndë, prandaj është bërë një gjë e fëlliqur; tërë ata që e nderonin e përçmojnë, sepse e kanë parë lakuriq, po, ai psherëtin dhe kthehet prapa. Fëlliqësia e tij ishte në cepat e rrobave të tij, nuk mendonte për fundin e tij; prandaj ra në mënyrë të habitshme, pa pasur njeri që ta ngushëllojë: "Shiko, o Zot, dëshpërimin tim sepse armiku po ngrihet". Kundërshtari ka shtrirë dorën mbi të gjitha thesaret e tua, sepse pa kombet të hyjnë në shenjtëroren tënde; pikërisht ata që ti u kishe urdhëruar të mos hynin në kuvendin tënd. Tërë populli i tij psherëtin duke kërkuar bukë; japin gjërat e tyre më të çmuara për ushqim me qëllim që të rifitojnë jetën. "Shiko, o Zot, dhe këqyr sa jam bërë i neveritshëm!". "Asgjë e tillë mos t'ju ndodhë, o ju që kaloni afër. Soditni dhe shikoni, në se ka një dhembje të ngjashme me dhembjen time, ajo që më brengos dhe që Zoti më ka dhënë ditën e zemërimit të tij të zjarrtë. Nga lart ka dërguar një zjarr në kockat e mia, i kaplon ato; ka shtrirë një rrjetë në këmbët e mia, më ka kthyer prapa, më ka shkretuar në kapitjen e ditëve të mia. Nga dora e tij është lidhur zgjedha e shkeljeve të mia, që lidhen bashkë dhe rëndojnë mbi qafën time; më ka pakësuar forcën time; Zoti më ka lënë në duart e atyre të cilëve nuk mund t'u bëj ballë. Zoti ka rrëzuar në mesin tim tërë trimat e mi; ka thirrur kundër meje një kuvend për të shtypur të rinjtë e mi; Zoti ka shtypur si në një butinë bijën e virgjër të Judës. Prandaj unë qaj; sytë e mi, vetë sytë e mi shkrihen ndër lot, sepse ngushëlluesi që do të mund të më jepte përsëri jetën është larg meje. Bijtë e mi janë të dëshpëruar, sepse armiku doli fitimtar". Sioni zgjat duart e tij, por nuk ka njeri që ta ngushëllojë. Për sa i përket Jakobit, Zoti ka urdhëruar që ata që janë rreth tij të bëhen armiq të tij. Jeruzalemi është bërë në mes tyre si një gjë e papastër. Zoti është i drejtë, sepse jam rebeluar kundër fjalës së tij. Dëgjoni, pra, o popuj mbarë, dhe shikoni dhembjen time! Virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë shkuar në robëri. Thirra dashnorët e mi, por ata më kanë mashtruar; priftërinjtë e mi dhe pleqtë e mi nxorën frymën e fundit në qytet, ndërsa kërkonin ushqim për të shpëtuar jetën e tyre. Shiko, o Zot, unë jam në ankth. Zorrët e mia dridhen, zemra ime është e tronditur brenda meje, sepse kam qenë rebele e madhe. Jashtë shpata më la pa bij, në shtëpi është si të jetë vdekje. Më dëgjojnë që psherëtij, askush nuk më ngushëllon. Tërë armiqtë e mi e kanë mësuar fatkeqësinë time dhe janë të kënaqur që ti ke bërë këtë gjë. Ti do të sjellësh ditën që ke lajmëruar, dhe atëherë do të jenë si unë. Le të vijë para teje tërë ligësia e tyre, dhe trajtoi ashtu si më ke trajtuar mua për shkak të të gjitha shkeljeve të mia. Sepse të shumta janë psherëtimat e mia dhe zemra ime lëngon.