Jozueu 6:1-23
Jozueu 6:1-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jerikoja ishte fortifikuar dhe i kishte mbyllur portat për shkak të izraelitëve. Askush nuk hynte e askush nuk dilte nga qyteti. Atëherë ZOTI i tha Jozuehut: «Ja, Jerikonë po ta dorëzoj ty, me gjithë mbretin e luftëtarët e saj. Të gjithë ju do të marshoni përreth qytetit një herë në ditë. Kështu do të bëni për gjashtë ditë. Shtatë priftërinj do të shkojnë përpara arkës, duke mbajtur shtatë bori prej briri dashi. Ditën e shtatë do të marshoni shtatë herë rreth qytetit dhe priftërinjtë do t'u bien borive. Kur të tingëllojë briri i dashit, sapo të dëgjohet tingulli i borisë, i gjithë populli të lëshojë një britmë të madhe. Muret e qytetit do të shemben dhe populli do të vërsulet nga çdo anë drejt qytetit». Jozuehu, biri i Nunit, thirri priftërinjtë e u tha: «Ngrijeni arkën e besëlidhjes. Shtatë priftërinj të marrin shtatë bori prej briri dashi e të kalojnë para arkës së ZOTIT». Popullit i tha: «Nisuni e marshoni përreth qytetit. Luftëtarët e armatosur të kalojnë para arkës së ZOTIT». Pasi Jozuehu i kishte dhënë udhëzimet popullit, shtatë priftërinjtë me shtatë boritë prej briri dashi dolën përpara ZOTIT e filluan t'u binin borive. Nga pas i ndiqte arka e besëlidhjes së ZOTIT. Luftëtarët e armatosur ecnin përpara priftërinjve, që u binin borive, ndërsa praparoja vinte pas arkës. Teksa ecnin, jehonte tingulli i borive. Ndërsa popullit Jozuehu i dha këtë urdhër: «Mos bërtitni e mos t'ju dëgjohet zëri. Mos nxirrni asnjë fjalë nga goja, deri ditën që do t'ju them unë të bërtitni. Vetëm atëherë do të bërtitni». Kështu, arka e ZOTIT u soll një herë rreth qytetit. Pastaj izraelitët u kthyen në fushim për të kaluar natën. Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe priftërinjtë morën arkën e ZOTIT. Shtatë priftërinjtë, që mbanin shtatë boritë prej briri dashi, ecnin përpara arkës së ZOTIT e u binin borive. Luftëtarët e armatosur ecnin përpara tyre, ndërsa praparoja ecte pas arkës së ZOTIT. Gjatë marshimit, priftërinjtë u binin borive. Edhe ditën e dytë izraelitët marshuan një herë përreth qytetit dhe pastaj u kthyen në fushim. Kështu bënë për gjashtë ditë. Ditën e shtatë u ngritën herët në mëngjes dhe marshuan shtatë herë përreth qytetit në të njëjtën mënyrë. Vetëm atë ditë marshuan shtatë herë përreth qytetit. Herën e shtatë, kur priftërinjtë u ranë borive, Jozuehu i tha popullit: «Lëshoni kushtrimin! ZOTI jua ka dhënë juve qytetin. Qyteti e gjithçka brenda tij është e mallkuar e do të shfaroset për nder të ZOTIT. Vetëm lavirja Rahabë dhe të gjithë ata që do të gjenden me të në shtëpi do të mbeten gjallë, sepse ajo fshehu lajmëtarët që patëm dërguar. Por, ruhuni se mos merrni ndonjë nga sendet e mallkuara, se po t'i merrni, do ta sillni mallkimin e shfarosjes brenda fushimit të Izraelit e do t'ju zërë fatkeqësia. I gjithë argjendi, ari, sendet prej bronzi e prej hekuri do të shenjtërohen për ZOTIN e do të hyjnë në thesarin e ZOTIT». Atëherë populli lëshoi kushtrimin dhe boritë jehuan. Kur u dëgjua tingulli i borisë, populli lëshoi një britmë aq të madhe, saqë muret e qytetit u shembën. Të gjithë u vërsulën nga çdo anë drejt qytetit dhe e pushtuan. Izraelitët shfarosën me shpatë gjithçka që gjendej në qytet, burra, gra, të rinj, pleq, qe, dele e gomarë. Jozuehu u tha dy burrave që ishin dërguar për të përgjuar vendin: «Shkoni te shtëpia e lavires e nxirreni prej atje, atë e gjithçka i përket asaj, ashtu siç iu betuat». Dy djaloshët, që ishin dërguar për të vëzhguar, shkuan dhe e nxorën Rahabën prej atje bashkë me të atin, të ëmën, vëllezërit e gjithçka i përkiste. I nxorën të gjithë të afërmit e saj dhe i vendosën jashtë fushimit të Izraelit.
Jozueu 6:1-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Jeriko ishte i mbyllur dhe i mbrojtur mirë nga frika e bijve të Izraelit; askush nuk dilte dhe askush nuk hynte në të. Zoti i tha Jozueut: "Shiko, unë të kam dhënë në dorë Jerikon, mbretin e tij dhe luftëtarët e tij trima. Ju të gjithë, luftëtarët, do të marshoni rreth qytetit, do të silleni një herë rreth tij. Kështu do të bëni gjashtë ditë me radhë. Shtatë priftërinj do të çojnë përpara arkës shtatë bori prej briri të dashit; por ditën e shtatë do të silleni rreth qytetit shtatë herë dhe priftërinjtë do t'u bien borive. Kur ata t'u bien pa pushim brirëve të dashit dhe ju të dëgjoni zërin e borisë, tërë populli do të bëjë një ulërimë të madhe; atëherë muret e qytetit do të shemben dhe populli do të ngjitet, gjithsekush drejt, përpara. Kështu Jozueu, bir i Nunit, thirri priftërinjtë dhe u tha atyre: "Merrni arkën e besëlidhjes dhe shtatë priftërinj të mbajnë shtatë bori prej briri të dashit përpara arkës së Zotit". Pastaj i tha popullit: "Shkoni përpara dhe marshoni rreth qytetit, njerëzit e armatosur të ecin përpara arkës së Zotit". Kështu, kur Jozueu mbaroi së foluri popullit, shtatë priftërinjtë që mbanin shtatë bori prej briri të dashit përpara Zotit nisën të marshojnë dhe u ranë borive; dhe arka e besëlidhjes së Zotit i ndiqte nga pas. Njerëzit e armatosur marshonin përpara priftërinjve që u binin borive, kurse praparoja vinte pas arkës; gjatë marshimit priftërinjtë u binin borive. Jozueu kishte urdhëruar popullin, duke i thënë: "Mos bërtitni, të mos dëgjohet as zëri juaj dhe të mos dalë asnjë fjalë nga goja juaj, deri ditën kur do t'ju them: "Bërtisni!". Atëherë do të bërtisni". Kështu arka e Zotit u soll rreth qytetit një herë; pastaj u kthyen në kamp dhe aty e kaluan natën. Jozueu u ngrit herët në mëngjes, dhe priftërinjtë morën arkën e Zotit. Shtatë priftërinjtë, që mbanin shtatë boritë prej briri të dashit përpara arkës së Zotit, shkonin përpara dhe u binin borive. Njerëzit e armatosur marshonin para tyre, kurse praparoja vinte mbas arkës së Zotit; gjatë marshimit priftërinjtë u binin borive. Ditën e dytë marshuan vetëm një herë rreth qytetit dhe pastaj u kthyen në kamp. Kështu vepruan gjashtë ditë me radhë. Por ditën e shtatë u ngritën herët, në agim, dhe marshuan rreth qytetit në të njëjtën mënyrë shtatë herë; vetëm atë ditë marshuan shtatë herë rreth qytetit. Herën e shtatë, kur priftërinjtë u ranë borive, Jozueu i tha popullit: "Bërtisni, sepse Zoti ju dha qytetin! Qyteti do të shfaroset, ai dhe çdo gjë që është në të. Vetëm prostituta Rehab do të shpëtojë, ajo dhe gjithë ata që janë bashkë me të në shtëpi, sepse ajo fshehu vëzhguesit që ne kishim dërguar. Por ju kini shumë kujdes lidhur me atë që është caktuar të shfaroset, që të mos jeni ju vetë të mallkuar, duke marrë diçka që është caktuar të shfaroset, dhe ta bëni kështu kampin e Izraelit të mallkuar, duke tërhequr mbi të fatkeqësi. Por i gjithë argjendi, ari dhe sendet prej bronzi dhe hekuri i shenjtërohen Zotit; do të hyjnë në thesarin e Zotit". Populli, pra, bërtiti kur priftërinjtë u ranë borive; dhe ndodhi që, kur populli dëgjoi tingullin e borive, nxori një britmë të madhe dhe muret u rrëzuan duke u shembur. Populli u ngjit në qytet, secili drejt, përpara, dhe e shtiu në dorë atë. Dhe shfarosën gjithçka ishte në qytet, duke vrarë me shpatë burra e gra, fëmijë dhe pleq e madje qe, dele dhe gomarë. Pastaj Jozueu u tha dy burrave që kishin vëzhguar vendin: "Shkoni në shtëpinë e asaj prostitute dhe nxirrni jashtë gruan dhe tërë ato gjëra që i përkasin asaj, siç i jeni betuar". Atëherë të rinjtë që kishin vëzhguar vendin shkuan dhe nxorën jashtë Rahabin, të atin, të ëmën, të vëllezërit dhe gjithçka i përkiste asaj; kështu nxorën jashtë të gjithë të afërmit e saj dhe i lanë jashtë kampit të Izraelit.