Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozueu 24:1-28

Jozueu 24:1-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jozuehu i mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Shekem dhe i thirri pleqtë e Izraelit, prijësit, gjykatësit dhe krerët të paraqiteshin para Perëndisë. Atëherë Jozuehu i tha mbarë popullit: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Në kohët e shkuara paraardhësit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, jetonin përtej lumit të Eufratit dhe u shërbenin perëndive të tjerë. Por unë e mora Abrahamin nga përtej lumit dhe i priva nëpër tërë vendin e Kanaanit. Ia shtova pasardhësit dhe i dhashë Isakun. Isakut i dhashë Esaun. Esaut i dhashë për pronë malin e Seirit, ndërsa Jakobi dhe bijtë e tij shkuan në Egjipt. Pastaj dërgova Moisiun e Aronin, godita Egjiptin me mrekullitë që bëra atje dhe ju nxora prej andej. Kur dolën nga Egjipti, etërit tuaj mbërritën te deti i Kuq, por egjiptianët i ndoqën deri atje me karroca dhe me kuaj. Ata i thirrën për ndihmë ZOTIT dhe ai vuri terrin midis tyre dhe egjiptianëve. Pastaj hodhi mbi egjiptianët detin dhe deti i mbuloi. Ju e patë me sytë tuaj çfarë bëra në Egjipt. Mandej jetuat për një kohë të gjatë në shkretëtirë. Pastaj ju solla në tokën e amoritëve, që banonin përtej Jordanit. Ata luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve dhe i shfarosa para jush. Tokën e tyre e morët ju. Edhe Balaku, biri i Ciporit dhe mbreti i Moabit, doli të luftojë kundër Izraelit. Ai thirri Balaamin, birin e Beorit, që t'ju mallkonte. Por unë nuk desha ta dëgjoja Balaamin, prandaj ai ju bekoi dhe unë ju shpëtova prej dorës së tij. Si e kaluat Jordanin, mbërritët në Jeriko. Banorët e Jerikosë, amoritët, perizitët, kananitët, hititët, girgashitët, hivitët dhe jebusitët, luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve. Lëshova grerëzat para jush dhe me to dëbova nga ju dy mbretërit e amoritëve pa shpatën apo harkun tuaj. Ju dhashë një tokë që nuk e kishit punuar ju dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar ju, por ju banoni në to. Vreshtat dhe ullinjtë nuk i mbollët ju, por po hani prej tyre”. Tani, pra, druajeni ZOTIN dhe shërbejini atij me përsosmëri dhe me besnikëri. Hidhni tej perënditë që kanë adhuruar paraardhësit tuaj, kur ishin përtej lumit të Eufratit e në Egjipt, dhe shërbejini ZOTIT. Nëse nuk ju duket gjë e mirë t'i shërbeni ZOTIT, atëherë vendosni sot se kujt doni t'i shërbeni, perëndive që u shërbyen paraardhësit tuaj, kur ishin përtej lumit Eufrat, apo perëndive të amoritëve, në tokën e të cilëve banoni? Sa për mua dhe shtëpinë time, ne do t'i shërbejmë ZOTIT». Atëherë populli u përgjigj e tha: «Larg qoftë të braktisim ZOTIN e t'u shërbejmë perëndive të tjerë. ZOTI, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë dhe ai që bëri shenja të mëdha para syve tanë. Ai na ruajti gjatë gjithë udhës dhe na mbrojti nga të gjithë popujt, nëpër tokat e të cilëve kaluam. Ai i dëboi para nesh të gjithë popujt e në veçanti amoritët, që banojnë në këtë tokë. Prandaj, edhe ne do t'i shërbejmë ZOTIT, sepse ai është Perëndia ynë». Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ju nuk do të mund t'i shërbeni ZOTIT, sepse ai është Perëndi i shenjtë e xheloz, prandaj dhe nuk ka për t'i duruar paudhësitë dhe mëkatet tuaja. Nëse e braktisni ZOTIN e u shërbeni perëndive të huaj, ai do të kthehet kundër jush e do t'ju shfarosë, pas gjithë të mirave që ju ka bërë». Populli i tha Jozuehut: «Jo, ne do t'i shërbejmë ZOTIT». Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ju jeni vetë dëshmitarë se keni vendosur t'i shërbeni ZOTIT». Ata iu përgjigjën: «Jemi dëshmitarë». Jozuehu u tha: «Atëherë, flakni tej të gjitha perënditë që janë mes jush dhe kthejini zemrat drejt ZOTIT, Perëndisë së Izraelit». Dhe populli i tha Jozuehut: «ZOTIT, Perëndisë tonë, do t'i shërbejmë dhe atë do të dëgjojmë». Atë ditë Jozuehu lidhi besën me popullin në Shekem dhe nxori rregulla e vendime, fjalët e të cilave i shënoi në librin e ligjit të Perëndisë. Pastaj mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së ZOTIT. Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ja, ky gur do të jetë dëshmi për ju, sepse i dëgjoi të gjitha fjalët që na tha ZOTI. Ky gur do të jetë dëshmi kundër jush, që të mos e mohoni Perëndinë tuaj». Pastaj Jozuehu i la të shkonin secili në pronën e vet.

Jozueu 24:1-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj Jozueu mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe thirri pleqtë e Izraelit, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, që u paraqitën përpara Perëndisë. Dhe Jozueu i tha tërë popullit: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: "Në kohërat e kaluara, etërit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, banonin matanë lumit dhe u shërbenin perëndive të tjera. Unë mora atin tuaj Abrahamin nga ana tjetër e lumit, e bëra të kalojë nëpër gjithë vendin e Kanaanit, shumëzova pasardhësit e tij dhe i dhashë Isakun. Isakut i dhashë Jakobin dhe Esaun; Esaut i dhashë si trashëgimi malin e Seirit; por Jakobi dhe bijtë e tij zbritën në Egjipt. Pastaj dërgova Moisiun dhe Aaronin dhe godita Egjiptin me atë që bëra në mes të tij; pastaj ju nxora jashtë. Kështu nxora nga Egjipti etërit tuaj, dhe ju arritët në det. Egjiptasit i ndoqën etërit tuaj me qerre dhe me kalorës deri në Detin e Kuq. Por ata i klithën Zotit, dhe ai vendosi një errësirë të dendur midis jush dhe egjiptasve; pastaj hodha mbi ta detin, që i mbuloi; dhe sytë tuaj panë atë që u bëra egjiptasve. Pastaj qëndruat për një kohë të gjatë në shkretëtirë. Unë ju çova në vendin e amorenjve, që banonin matanë Jordanit; ata luftuan kundër jush dhe unë jua dhashë në dorë; ju pushtuat vendin e tyre dhe unë i shpartallova para jush. Pastaj Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, u ngrit për të luftuar Izraelin; dhe dërgoi të thërrasë Balaamin, djalin e Beorit, që t'ju mallkonte; por unë nuk desha të dëgjoj Balaamin; prandaj ai ju bekoi me të madhe, dhe ju çlirova nga duart e Balakut. Kaluat pastaj Jordanin dhe arritët në Jeriko; banorët e Jerikos luftuan kundër jush; kështu bënë amorenjtë, perezenjtë, kanaanenjtë, hitenjtë, girgasenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë; por unë jua dorëzova në dorë. Dhe çova para jush grerëzat, që i bënë të ikin para jush, ashtu si kishte ndodhur me dy mbretërit e amorenjve; por kjo nuk ishte meritë e shpatës ose e harkut tënd. Dhe ju dhashë një tokë për të cilën nuk kishit punuar dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar, dhe ju banuat në to; dhe tani hani frytin e vreshtave dhe të ullishteve që nuk keni mbjellë". Prandaj tani t'ia kini frikën Zotit dhe shërbejeni me ndershmëri dhe besnikëri; hiqni perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit dhe në Egjipt, dhe vihuni në shërbim të Zotit. Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t’i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e amorenjve, në vendin e të cilëve ju banoni sot; sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit". Atëherë populli u përgjigj dhe tha: "Larg qoftë që ne të braktisim Zotin për t'u shërbyer perëndive të tjera! Sepse Zoti, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, që ka bërë mrekulli të mëdha para syve tanë dhe që na ka mbrojtur gjatë gjithë rrugës që bëmë dhe midis gjithë popujve në mes të të cilëve kemi kaluar; dhe Zoti ka dëbuar para nesh tërë popujt dhe amorenjtë që banonin në këtë vend; prandaj ne do t'i shërbejmë Zotit, sepse ai është Perëndia ynë". Por Jozueu i tha popullit: "Ju nuk mund t'i shërbeni Zotit, sepse ai është një Perëndi i shenjtë, një Perëndi ziliqar; ai nuk do t'i falë shkeljet dhe mëkatet tuaja. Kur ta braktisni Zotin dhe t'u shërbeni perëndive të huaja, ai do të kthehet për t'ju bërë keq dhe për t'ju konsumuar pas aq të mirave që ju ka bërë". Dhe populli i tha Jozueut: "Jo, ne do t'i shërbejmë Zotit". Atëherë Jozueu i tha popullit: "Ju jeni dëshmitarë kundër vetvetes, pse keni zgjedhur për vete Zotin për t'i shërbyer!". Ata iu përgjigjën: "Jemi dëshmitarë!". Jozueu tha: "Hiqni, pra, perënditë e huaja që janë në mes tuaj dhe përuleni zemrën tuaj Zotit, Perëndisë së Izraelit!". Populli iu përgjigj Jozueut: "Ne do t'i shërbejmë Zotit, Perëndisë tonë, dhe do t'i bindemi zërit të tij". Kështu Jozueu lidhi atë ditë një besëlidhje me popullin, dhe i dha statutet dhe dekretet në Sikem. Pastaj Jozueu shkroi këto gjëra në librin e ligjit të Perëndisë; dhe mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së Zotit. Jozueu i tha pastaj tërë popullit: "Ja, ky gur do të jetë një dëshmitar kundër nesh, sepse ai i dëgjoi tërë fjalët që na tha Zoti; ai, pra, do të shërbejë si dëshmitar kundër jush, me qëllim që të mos e mohoni Perëndinë tuaj". Pastaj Jozueu e ktheu popullin në vendin ku ishte më parë, secili në trashëgiminë e vet.