Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozueu 2:4-13

Jozueu 2:4-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Si i mori e i fshehu dy burrat, Rahaba u përgjigj: «Po, ata erdhën tek unë, por nuk e dija nga ishin. Kur po mbyllej porta e qytetit e u bë terr, ata dolën. Nuk e di nga shkuan, por ndiqini shpejt, se mund t'i kapni». Ndërkohë, ajo i kishte ngjitur në tarracë e i kishte fshehur mes kallamishteve të lirit që i kishte vënë stivë atje. Të dërguarit e mbretit u nisën për t'i ndjekur rrugës për te vau i Jordanit. Sapo dolën, porta e qytetit u mbyll. Rahaba u ngjit në tarracë te përgjuesit, para se t'i zinte gjumi, e u tha: «Unë e di se ZOTI jua ka dhënë juve këtë vend. Na ka zënë tmerri prej jush dhe të gjithë banorët e këtij vendi dridhen nga frika prej jush. Kemi dëgjuar se ZOTI thau detin e Kuq para jush, kur po dilnit nga toka e Egjiptit. Kemi dëgjuar edhe çfarë u bëtë dy mbretërve të amoritëve përtej Jordanit, Sihonit e Ogut, të cilët i shkatërruat fare. Kur i dëgjuam këto, na lëshoi zemra e mbetëm pa frymë për shkakun tuaj, sepse ZOTI, Perëndia juaj, është me të vërtetë Perëndi atje lart në qiell dhe këtu poshtë mbi tokë. Prandaj, m'u betoni për ZOTIN, se do të tregoni mirësi ndaj shtëpisë së atit tim, ashtu si tregova edhe unë mirësi ndaj jush. Më jepni, pra, një shenjë të besueshme, se do ta lini gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit e motrat e mia, bashkë me gjithçka që u përket, dhe se do të na shpëtoni nga vdekja».

Jozueu 2:4-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por gruaja i mori dy burrat dhe i fshehu; pastaj tha: "Është e vërtetë, këta njerëz erdhën tek unë, por nuk dija nga ishin. Në çastin kur mbyllej porta e qytetit, kur ishte errësuar, ata burra dolën; nuk e di se ku shkuan; ndiqini menjëherë, sepse mund t'i arrini". (Ajo përkundrazi i kishte hipur mbi çati dhe i kishte fshehur midis kërcejve të lirit, që i kishte shtrirë mbi shtrat). Atëherë ata i ndoqën në rrugën e Jordanit, në drejtim të vaut të lumit; dhe sapo dolën ndjekësit, porta u mbyll. Por para se t'i zinte gjumi spiunët, Rahabi u ngjit pranë tyre në çati, dhe u tha atyre burrave: "Unë e di që Zoti ju ka dhënë vendin, që tmerri juaj na ka zënë, dhe që të gjithë banorët e vendit dridhen nga frika para jush. Sepse ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti, dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të amorenjve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t'i shfarosni. Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë. Prandaj, ju lutem, betohuni në emër të Zotit që, ashtu si kam treguar dhembshuri ndaj jush, edhe ju do të tregoni po atë dhembshuri ndaj shtëpisë së atit tim; më jepni, pra, një shenjë të sigurt, që do t'i lini të gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit dhe motrat e mia dhe të gjitha gjërat që u përkasin atyre, dhe që do të shpëtoni jetën tonë nga vdekja".