Jozueu 2:1-21
Jozueu 2:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jozuehu, biri i Nunit, dërgoi prej Shitimit dy burra për të përgjuar vendin në fshehtësi e u tha: «Shkoni e përgjojeni mirë vendin dhe qytetin e Jerikosë». Ata shkuan e bujtën në shtëpinë e një lavireje që quhej Rahabë. Mbreti i Jerikosë u njoftua se natën kishin ardhur disa izraelitë për të përgjuar vendin. Atëherë ai i çoi fjalë Rahabës: «Nxirri jashtë burrat që erdhën te ti e hynë në shtëpinë tënde, se kanë ardhur për të përgjuar vendin». Si i mori e i fshehu dy burrat, Rahaba u përgjigj: «Po, ata erdhën tek unë, por nuk e dija nga ishin. Kur po mbyllej porta e qytetit e u bë terr, ata dolën. Nuk e di nga shkuan, por ndiqini shpejt, se mund t'i kapni». Ndërkohë, ajo i kishte ngjitur në tarracë e i kishte fshehur mes kallamishteve të lirit që i kishte vënë stivë atje. Të dërguarit e mbretit u nisën për t'i ndjekur rrugës për te vau i Jordanit. Sapo dolën, porta e qytetit u mbyll. Rahaba u ngjit në tarracë te përgjuesit, para se t'i zinte gjumi, e u tha: «Unë e di se ZOTI jua ka dhënë juve këtë vend. Na ka zënë tmerri prej jush dhe të gjithë banorët e këtij vendi dridhen nga frika prej jush. Kemi dëgjuar se ZOTI thau detin e Kuq para jush, kur po dilnit nga toka e Egjiptit. Kemi dëgjuar edhe çfarë u bëtë dy mbretërve të amoritëve përtej Jordanit, Sihonit e Ogut, të cilët i shkatërruat fare. Kur i dëgjuam këto, na lëshoi zemra e mbetëm pa frymë për shkakun tuaj, sepse ZOTI, Perëndia juaj, është me të vërtetë Perëndi atje lart në qiell dhe këtu poshtë mbi tokë. Prandaj, m'u betoni për ZOTIN, se do të tregoni mirësi ndaj shtëpisë së atit tim, ashtu si tregova edhe unë mirësi ndaj jush. Më jepni, pra, një shenjë të besueshme, se do ta lini gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit e motrat e mia, bashkë me gjithçka që u përket, dhe se do të na shpëtoni nga vdekja». Ata i thanë: «Të betohemi me jetë, veç mos na kallëzo. Kur të na e japë ZOTI vendin, do të tregojmë mirësi e besnikëri ndaj teje». Rahaba jetonte ngjitur me muret e qytetit dhe shtëpia e saj ishte e ndërtuar te muret. Ajo i lëshoi me litarë nga dritarja e u tha: «Merrni rrugën drejt malit, që të mos ndesheni me ata që po ju ndjekin. Fshihuni atje për tri ditë, derisa të kthehen ndjekësit, e pastaj vazhdoni udhën». Përgjuesit i thanë: «Ne nuk do ta mbajmë betimin që na detyrove të bëjmë, nëse, kur të hyjmë në këtë vend, nuk do të kesh lidhur në dritaren nga po na zbret këtë gjalmë të kuqe. Atin tënd, nënën tënde, vëllezërit e tu e gjithçka që i përket shtëpisë së atit tënd mblidhi këtu në shtëpinë tënde. Nëse dikush del jashtë derës së shtëpisë sate, gjaku i tij do të bjerë mbi vetë kryet e tij e ne do të jemi të pafajshëm. Por nëse dikush vë dorë mbi ndonjë brenda shtëpisë sate, atëherë gjaku i tij do të bjerë mbi kryet tanë. Nëse i tregon ndokujt për punën tonë, nuk do ta mbajmë betimin që na detyrove të bëjmë». Ajo u tha: «U bëftë sipas fjalës suaj!». Pastaj i la të shkojnë dhe e lidhi gjalmën e kuqe në dritare.
Jozueu 2:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Jozueu, bir i Nunit, dërgoi dy burra te Shitimi për të vëzhguar fshehurazi, duke u thënë: "Shkoni, kontrolloni vendin dhe Jerikon". Kështu ata shkuan dhe hynë në shtëpinë e një prostitute, të quajtur Rahab, dhe aty banuan. Këtë gjë ia referuan mbretit të Jerikos, duke i thënë: "Ja, disa bij të Izraelit erdhën këtu sonte natën për të vëzhguar vendin". Atëherë mbreti i Jerikos dërgoi t'i thotë Rahabit: "Nxirri jashtë njerëzit që kanë ardhur te ti dhe kanë hyrë në shtëpinë tënde, sepse ata kanë ardhur për të vëzhguar tërë vendin". Por gruaja i mori dy burrat dhe i fshehu; pastaj tha: "Është e vërtetë, këta njerëz erdhën tek unë, por nuk dija nga ishin. Në çastin kur mbyllej porta e qytetit, kur ishte errësuar, ata burra dolën; nuk e di se ku shkuan; ndiqini menjëherë, sepse mund t'i arrini". (Ajo përkundrazi i kishte hipur mbi çati dhe i kishte fshehur midis kërcejve të lirit, që i kishte shtrirë mbi shtrat). Atëherë ata i ndoqën në rrugën e Jordanit, në drejtim të vaut të lumit; dhe sapo dolën ndjekësit, porta u mbyll. Por para se t'i zinte gjumi spiunët, Rahabi u ngjit pranë tyre në çati, dhe u tha atyre burrave: "Unë e di që Zoti ju ka dhënë vendin, që tmerri juaj na ka zënë, dhe që të gjithë banorët e vendit dridhen nga frika para jush. Sepse ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti, dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të amorenjve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t'i shfarosni. Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë. Prandaj, ju lutem, betohuni në emër të Zotit që, ashtu si kam treguar dhembshuri ndaj jush, edhe ju do të tregoni po atë dhembshuri ndaj shtëpisë së atit tim; më jepni, pra, një shenjë të sigurt, që do t'i lini të gjallë atin tim, nënën time, vëllezërit dhe motrat e mia dhe të gjitha gjërat që u përkasin atyre, dhe që do të shpëtoni jetën tonë nga vdekja". Ata burra iu përgjigjën: "Jeta jonë për atë tuajën, mjaft që të mos e tregoni çështjen tonë; dhe kur Zoti do të na japë vendin, ne do të të trajtojmë me mëshirë dhe me shpirtlirësi". Atëherë ajo i zbriti nga dritarja me një litar, sepse shtëpia e saj ndodhej mbi muret e qytetit, dhe ajo banonte mbi muret. Dhe u tha atyre: "Shkoni në drejtim të malit, që ndjekësit tuaj të mos ju gjejnë; dhe qëndroni tri ditë të fshehur atje, derisa të kthehen ndjekësit tuaj; pastaj do të vazhdoni rrugën tuaj". Atëherë ata burra i thanë: "Ne do të çlirohemi nga betimi që na detyrove të bëjmë, po të jetë se, kur të hyjmë në këtë vend, ti nuk ngjit në dritaren nga e cila po na zbret këtë kordon të hollë me ngjyrë të kuqërreme dhe po nuk mblodhe në shtëpinë tënde atin tënd, nënën tënde vëllezërit e tu dhe tërë familjen e atit tënd. Por në rast se dikush del jashtë pragut të shtëpisë sate, gjaku i tij do të bjerë mbi krye të vet, dhe ne nuk do të kemi faj për këtë; por gjaku i kujtdo qoftë që do të jetë me ty në shtëpi do të bjerë mbi kokën tonë, në qoftë se dikush i prek me dorë. Por në rast se ti tregon punën tonë, ne do të çlirohemi nga betimi që na ke detyruar të bëjmë". Ajo tha: "U bëftë ashtu si thatë ju". Pastaj u nda me ta dhe ata ikën. Ajo lidhi në dritare kordonin e hollë të kuqërremë.