Jozueu 1:1-6
Jozueu 1:1-6 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të ZOTIT, ZOTI foli me Jozuehun, birin e Nunit dhe ndihmësin e Moisiut, e i tha: «Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Tani, ngrihu e kalo Jordanin bashkë me gjithë popullin për në tokën që po u jap bijve të Izraelit. Po ju jap çdo vend ku t'ju shkelë shputa e këmbës, ashtu siç i thashë Moisiut. Që nga shkretëtira e nga Libani e deri në lumin e madh Eufrat, gjithë toka e hititëve deri në detin e madh, ku perëndon dielli, do të jetë toka juaj. Askush nuk do të të bëjë ballë sa të jesh gjallë. Do të jem me ty ashtu siç isha edhe me Moisiun dhe nuk do të të lë e as nuk do të të braktis. Ji i fortë e ki guxim, sepse ti do t'ia japësh për trashëgim këtij populli këtë tokë, për të cilën iu betova etërve të tyre se do t'ua jap.
Jozueu 1:1-6 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, ndodhi që Zoti i foli Jozueut, djalit të Nunit, që i shërbente Moisiut, dhe i tha: "Moisiu, shërbëtori im, vdiq; prandaj çohu, kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull, dhe shko në atë vend që unë u jap atyre, bijve të Izraelit. Unë ju kam dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur, siç i thashë Moisiut. Territori yt do të shtrihet nga shkretëtira dhe nga Libani deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit, nga tërë vendi i hitenjve deri në Detin e Madh, në perëndim. Askush nuk do të mund të të kundërshtojë gjatë tërë ditëve të jetës sate; ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis. Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t'u jap etërve të tyre.