Jona 3:6-10
Jona 3:6-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur fjala i vajti në vesh mbretit të Ninivës, ai u ngrit nga froni, hoqi gunën, u vesh me grathore dhe u ul në hi. Nxori edhe një lajmërim në Ninivë ku thuhej: «Me dekret të mbretit e të fisnikëve të tij, asnjë njeri apo kafshë, tufë apo kope, të mos vërë gjë në gojë, të mos hajë e as ujë të mos pijë. Njerëzit e kafshët të vishen me grathore e t'i thërrasin fort Perëndisë për ndihmë. Secili të kthehet nga udha e tij e ligë dhe nga dhuna që bën. Kush e di! Ndoshta Perëndia ndërron mendje, zbutet dhe heq dorë nga zemërimi i tij i madh e kështu nuk marrim fund». Perëndia pa se çfarë bënë banorët e Ninivës dhe si u kthyen nga udha e tyre e ligë. Atëherë Perëndia u zbut për të keqen që kishte thënë se do t'u bënte dhe nuk e bëri.
Jona 3:6-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur lajmi i vajti mbretit të Ninivesë, ai u ngrit nga froni, hoqi mantelin e tij, u mbulua me thes dhe u ul mbi hi. Me dekret të mbretit dhe të të mëdhenjve të tij, shpalli dhe përhapi pastaj në Ninive një urdhër që thoshte: "Njerëzit dhe kafshët, kopetë dhe tufat të mos kërkojnë asgjë, të mos hanë ushqim dhe të mos pijnë ujë; por njerëzit dhe kafshët të mbulohen me thes dhe t'i thërresin me forcë Perëndisë; secili të kthehet nga rruga e tij e keqe dhe nga dhuna që është në duart e tij. Ku ta dish në ktheftë Perëndia, në u pendoftë dhe lëntë mënjanë zemërimin e tij të zjarrtë, dhe kështu ne nuk vdesim". Kur Perëndia pa atë që bënin, domethënë që po ktheheshin nga rruga e tyre e keqe, Perëndia u pendua për të keqen që kishte thënë se do t'u bënte dhe nuk e bëri.