Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Joeli 2:1-17

Joeli 2:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Bjerini trumbetës në Sion, lëshoni kushtrim në malin tim të shenjtë. Të dridhen mbarë banorët e vendit, se erdhi dita e ZOTIT, afër është ajo. Ditë e errët dhe e zezë, ditë e vrenjtur e plot terr, përmbi male seç sterron. Ja, një popull i shumtë e i fortë që kurrë s'është parë në kohët e lashta e as do të shihet brez pas brezi. Zjarr përpirës i paraprin, flakë shkrumbuese i shkon pas, si kopshti i Edenit toka para tij, por humbëtirë të shkretë lë pas. Askush nuk i shpëton dot. Duken si kuaj, vërsulen si kalorës. Kapërcejnë kreshta malesh me ushtimë karrocash ushtrie, me kërcitje flakësh zjarri kur përpin kashtën e thatë, si një popull i fuqishëm që në luftë rreshtohet rresht. Para tij popujt dridhen, gjithë fytyrat zverdhen krejt. Porsi trima ata sulen, si luftëtarë hidhen mbi mure. Secili mban rreshtin e vet e nuk ngatërron rrugë. Njëri-tjetrin nuk e shtyjnë, çdo burrë merr shtegun e vet e s'ka armë që i zmbraps. Vërshojnë qytetit, turren mureve, shtëpitë zaptojnë, si kusarë nga dritaret hyjnë. Para tij trandet toka, qiejt luajnë vendit. Dielli e hëna nxihen krejt, yjet humbasin shkëlqimin e tyre. ZOTI e lëshoi kushtrimin në krye të ushtrisë së tij. Gjerë e gjatë shtrihet fushimi, sa i fuqishëm ai që zbaton fjalën e tij. E madhërishme dita e ZOTIT, e tmerrshme shumë është ajo. Ballë kush mund t'i bëjë? Ndaj, tani, kumton ZOTI: kthehuni tek unë me gjithë zemër, me agjërime, vaj e zi. Shqyeni zemrat e jo rrobat, kthehuni te ZOTI, Perëndia juaj. I mëshirshëm e i dhembshur është ai, i ngadaltë në zemërim e plot mirësi, i vjen keq për fatkeqësitë. Kush e di? Ndoshta ndërron mendje, i vjen keq e lë pas ndonjë bekim, fli drithi e stërpikjeje, për ZOTIN, Perëndinë tuaj. Bjerini trumbetës në Sion, shpallni agjërim, thërrisni kuvend, mblidhni popullin, shenjtëroni bashkësinë, mblidhni pleq e fëmijë, foshnjat që thithin gji. Daltë dhëndri prej dhomës, edhe nusja prej odës së nusërisë. Mes portikut dhe altarit, të vajtojnë priftërinjtë, shërbëtorët e ZOTIT: “Ki mëshirë, o ZOT, për popullin tënd! Pronën tënde mos e lër të turpërohet, që kombet mos të tallen me të. Pse mes tyre të thuhet: ku është Perëndia i tyre?”.

Joeli 2:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

I bini borisë në Sion dhe jepni kushtrimin në malin tim të shenjtë! Le të dridhen të gjithë banorët e vendit, sepse dita e Zotit po vjen, është e afërt, po vjen dita e territ dhe e errësirës së dendur, ditë resh dhe mjegulle. Ashtu si përhapet agimi mbi malet, po vjen një popull i shumtë dhe i fuqishëm, të cilit kurrkush nuk i ka ngjarë më parë dhe as nuk do të ketë më kurrë për shumë breza që do të vijnë. Para tij një zjarr po gllabëron dhe pas tij një flakë po djeg. Përpara tij vendi është si kopshti i Edenit; dhe pas tij është si një shkretëtirë e mjeruar; po, asgjë nuk i shpëton atij. Pamja e tyre është si pamja e kuajve, dhe rendin si kuaj të shpejtë. Ata hidhen mbi majat e maleve me zhurmë qerresh, si brambullima e flakës së zjarrit që djeg kallamishtet, si një popull i fortë që është rreshtuar për betejë. Përpara tyre popujt përpëliten nga dhembja, çdo fytyrë zbehet. Rendin si njerëz trima, ngjiten mbi muret si luftëtarë; secili ndjek rrugën e vet pa devijuar prej saj. Askush nuk e shtyn fqinjin e tij, secili ndjek shtegun e vet; sulen në mes të shigjetave, por nuk plagosen. I bien qytetit kryq e tërthor, rendin mbi muret, ngjiten në shtëpi, hyjnë në to nga dritaret si vjedhës. Para tyre dridhet toka, dridhen qiejt, dielli dhe hëna erren dhe yjet humbin shkëlqimin e tyre. Zoti bën që t'i dëgjohet zëri para ushtrisë së tij, sepse fusha e tij është shumë madhe dhe zbatuesi i fjalës së tij është i fuqishëm. Po, dita e Zotit është e madhe dhe fort e tmerrshme; kush mund ta durojë? "Prandaj tani", thotë Zoti, "kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me lot dhe me vajtime". Grisni zemrën tuaj dhe jo rrobat tuaja dhe kthehuni tek Zoti, Perëndia juaj, sepse ai është i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe pendohet për të keqen që ka dërguar. Kush e di, ndoshta kthehet dhe pendohet, dhe lë pas tij një bekim, një ofertë ushqimesh dhe një libacion për Zotin, Perëndinë tuaj? I bini borisë në Sion, shpallni një agjërim, thërrisni një kuvend solemn. Mblidhni popullin, shenjtëroni kuvendin, mblidhni pleqtë, mblidhni fëmijët dhe foshnjat e gjirit. Të dalë dhëndri nga dhoma e tij dhe nusja nga dhoma e saj e nusërisë. Midis portikut dhe altarit le të qajnë priftërinjtë, ministrat e Zotit, dhe le të thonë: "Fale, o Zot, popullin tënd dhe mos ia lër trashëgiminë tënde turpit apo nënshtrimit nga ana e kombeve. Sepse do të thonë midis popujve: "Ku është Perëndia i tyre?"".

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë