Gjoni 6:51-63
Gjoni 6:51-63 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Unë jam buka e gjallë që zbret prej qiellit. Kush ha nga kjo bukë do të jetojë në amshim. Buka që do të jap unë është mishi im që e jap për jetën e botës». Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: «Si mundet ky të na japë mishin e vet për të ngrënë?». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut e nuk pini gjakun e tij, nuk keni jetë. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të amshuar dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, sepse mishi im është ushqim i vërtetë e gjaku im pije e vërtetë. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua e unë në të. Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi e unë jetoj nëpërmjet tij, kështu edhe kush më ha mua do të jetojë nëpërmjet meje. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo si mana që hëngrën etërit tuaj e vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë në amshim». Jezui i tha këto në sinagogë kur mësonte njerëzit në Kafarnaum. Shumë nga dishepujt e tij kur dëgjuan këto, thanë: «Fjala e tij është shumë e ashpër. Kush mund ta dëgjojë?». Jezui, duke e ditur se dishepujt po murmuritnin për këto, u tha: «Kjo u bëka pengesë për ju? Po kur ta shikoni Birin e njeriut të ngjitet atje ku ishte më parë? Shpirti jep jetë, ndërsa dobësia njerëzore nuk sjellin asnjë dobi. Fjalët që ju thashë janë shpirt e jetë.
Gjoni 6:51-63 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës''. Atëherë judenjtë filluan të diskutojnë njëri me tjetrin duke thënë: ''Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?''. Prandaj Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim. Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë''. Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum. Kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: ''Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?''. Por Jezusi, duke e ditur në vetvete se dishepujt e vet po murmurisnin për këtë, u tha atyre: ''Kjo ju skandalizon? Ç'do të ishte po ta shihnit, pra, Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më parë? Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që po ju them janë frymë dhe jetë.