Gjoni 6:15-21
Gjoni 6:15-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui, duke e ditur se kishin ndër mend të vinin ta merrnin me forcë për ta bërë mbret, u largua sërish për në mal fill i vetëm. Në muzg dishepujt zbritën në liqen, hipën në varkë e po shkonin drejt bregut tjetër të liqenit, për në Kafarnaum. Tashmë ishte errur, por Jezui nuk kishte mbërritur ende tek ata. Liqeni po trazohej nga era e fortë që frynte. Pasi kishin lundruar rreth tri a katër milje, panë Jezuin që po ecte mbi liqen duke iu afruar varkës e u frikësuan. Ai u tha: «Jam unë. Mos kini frikë!». Ata deshën ta merrnin në varkë, por menjëherë varka arriti në bregun ku po shkonin.
Gjoni 6:15-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri mbi malin, fill i vetëm. Kur u ngrys, dishepujt e tij zbritën drejt detit. Hipën në barkë dhe shkuan përtej detit, drejt Kapernaumit; tashmë ishte errët dhe Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata. Deti ishte i trazuar, sepse frynte një erë e fortë. Dhe pasi kishin vozitur rreth njëzet e pesë ose tridhjetë stade, panë Jezusin që po ecte mbi det dhe po i afrohej barkës dhe patën frikë. Por ai u tha atyre: ''Jam unë, mos druani!''. Ata, pra, deshën ta merrnin në barkë, dhe menjëherë barka u bregëzua në atë vend ku ishin drejtuar.