Gjoni 5:24-30
Gjoni 5:24-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Me të vërtetë po ju them se ai që dëgjon fjalët e mia dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetën e amshuar e nuk do të gjykohet, pasi ka kaluar tashmë nga vdekja në jetë. Me të vërtetë po ju them se po vjen një kohë, e madje ajo ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që do ta dëgjojnë, do të jetojnë. Sikurse Ati është burimi i jetës, kështu e ka bërë edhe Birin të jetë burim jete dhe i ka dhënë të drejtën të gjykojë, sepse ai është Biri i njeriut. Mos u habitni për këtë, se po afron koha kur të gjithë të vdekurit do të dëgjojnë zërin e tij e do të dalin nga varret. Ata që kanë bërë të mirën do të ngjallen për të jetuar, ndërsa ata që bënë të keqen do të ngjallen për t'u gjykuar. Unë nuk mund të bëj asgjë nga vetja ime. Unë gjykoj sipas asaj që dëgjoj nga Ati im dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj të bëhet vullneti im, por vullneti i atij që më dërgoi».
Gjoni 5:24-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë. Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete; dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut. Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit. Unë s'mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.