Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 5:19-47

Gjoni 5:19-47 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë nga vetja, përveç asaj që sheh se bën Ati. Ato gjëra që bën Ati, bën edhe Biri. Ati e do Birin e i tregon gjithçka që bën. Ai do t'i tregojë vepra edhe më të mëdha, që ju të mrekulloheni. Sepse ashtu si Ati ngjall të vdekurit e u jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që dëshiron. Ati nuk gjykon njeri, por gjithë gjykimin ia ka lënë në dorë Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin. Kush nuk nderon Birin, nuk e nderon as Atin që e ka dërguar. Me të vërtetë po ju them se ai që dëgjon fjalët e mia dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetën e amshuar e nuk do të gjykohet, pasi ka kaluar tashmë nga vdekja në jetë. Me të vërtetë po ju them se po vjen një kohë, e madje ajo ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që do ta dëgjojnë, do të jetojnë. Sikurse Ati është burimi i jetës, kështu e ka bërë edhe Birin të jetë burim jete dhe i ka dhënë të drejtën të gjykojë, sepse ai është Biri i njeriut. Mos u habitni për këtë, se po afron koha kur të gjithë të vdekurit do të dëgjojnë zërin e tij e do të dalin nga varret. Ata që kanë bërë të mirën do të ngjallen për të jetuar, ndërsa ata që bënë të keqen do të ngjallen për t'u gjykuar. Unë nuk mund të bëj asgjë nga vetja ime. Unë gjykoj sipas asaj që dëgjoj nga Ati im dhe gjykimi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj të bëhet vullneti im, por vullneti i atij që më dërgoi». «Nëse unë dëshmoj për veten time, atëherë kjo dëshmi mund të mos ishte e vërtetë. Por dikush tjetër dëshmon për mua dhe unë e di se dëshmia e tij është e vërtetë. Ju dërguat njerëz te Gjoni e ai tha të vërtetën. Unë nuk kam nevojë për dëshminë e ndonjë njeriu, por i përmenda këto që të shpëtoheni. Gjoni ishte pishtari i ndezur që shndrit dhe juve ju pëlqeu të ngazëlleheshit për pak kohë në dritën e tij. Por dëshmia ime është më e madhe se ajo e Gjonit. Veprat që më dha Ati për të bërë, veprat që unë bëj, ato dëshmojnë për mua se Ati më ka dërguar. Dhe vetë Ati që më dërgoi ka dëshmuar për mua. Ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij e nuk e keni parë kurrë fytyrën e tij. Fjala e tij nuk qëndron në ju, se nuk i besoni atij që ai dërgoi. Ju shqyrtoni Shkrimet, sepse mendoni se në to gjeni jetën e amshuar e pikërisht ato dëshmojnë për mua. E megjithatë, nuk doni të vini tek unë që kështu të keni jetë. Unë nuk marr lavdi nga njerëzit. Ju njoh dhe e di se nuk keni në ju dashurinë e Perëndisë. Unë kam ardhur në emër të Atit tim e nuk më pranoni. Nëse dikush tjetër do të vinte në emër të vetes, atë do ta pranonit. Si mund të besoni ju që i thurni lavdi njëri-tjetrit e nuk kërkoni lavdinë prej të vetmit Perëndi? Mos mendoni se do t'ju padis unë tek Ati. Moisiu, tek i cili keni varur shpresën, ai do t'ju padisë. Sepse po t'i besonit Moisiut do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua. Por nëse nuk u besoni atyre që ai shkroi, si do t'u besoni fjalëve të mia?».

Gjoni 5:19-47 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri. Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t'i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni. Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do. Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë. Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete; dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut. Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit. Unë s'mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar. Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë. Është një tjetër që dëshmon për mua, dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua është e vërtetë. Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës. Tani unë nuk e marr dëshminë nga asnjë njeri, por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni. Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij. Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar. Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij, dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar. Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua. Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën. Unë nuk marr lavdi nga njerëzit. Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju. Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit. Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia? Mos mendoni se unë ju padis tek Ati; ka kush t'ju padisë: Moisiu, në të cilin ju kishit varur shpresën tuaj; sepse në qoftë se ju do t'i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua. Por në qoftë se ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t'u besoni fjalëve të mia?''.