Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 5:1-18

Gjoni 5:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pastaj judenjtë kishin një festë dhe Jezui shkoi në Jerusalem. Në Jerusalem, afër Portës së Dhenve, kishte një hurdhë me pesë portikë që në hebraisht quhet Betzata. Atje dergjeshin shumë të sëmurë, të verbër, të çalë e të paralizuar. Aty ishte dhe një njeri i sëmurë që kishte tridhjetë e tetë vjet që vuante. Jezui, kur e pa që dergjej i sëmurë dhe duke e ditur se kishte shumë kohë që vuante, i tha: «A dëshiron të shërohesh?». I sëmuri iu përgjigj: «Zotëri, nuk kam njeri që të më fusë në hurdhë kur trazohet uji. Kur përpiqem të hyj unë, dikush tjetër zbret para meje». Jezui i tha: «Ngrihu, merre shtrojën tënde dhe ec!». Ai njeri u shërua në çast, mori shtrojën dhe eci. Por, meqenëse atë ditë ishte e shtunë, judenjtë i thanë të shëruarit: «Sot është e shtunë e nuk të lejohet të mbartësh shtrojën». Ai u përgjigj: «Ai që më shëroi më tha: merre shtrojën tënde dhe ec!». Ata e pyetën: «Cili është ky njeri që të tha: merre shtrojën dhe ec?». I shëruari nuk e dinte kush ishte, se Jezui kishte humbur mes turmës së njerëzve që ndodheshin aty. Më vonë Jezui e gjeti atë në tempull e i tha: «Ja ku u shërove! Mos mëkato më, që mos të të ndodhë ndonjë e keqe më e madhe». Ai njeri shkoi e u tregoi judenjve se ai që e kishte shëruar ishte Jezui. Atëherë judenjtë filluan ta përndjekin Jezuin, meqenëse ai i bënte këto gjëra të shtunën. Ndërsa Jezui u tha: «Ati im vepron gjithmonë, prandaj edhe unë veproj». Kështu judenjtë kërkonin edhe më shumë ta vrisnin, sepse jo vetëm që shkelte ligjin e së shtunës, por edhe thoshte se Perëndia ishte Ati i tij, duke e bërë veten të barabartë me Perëndinë.

Gjoni 5:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem. Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë. Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit. Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte. Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh. Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: ''A dëshiron të shërohesh?''. I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s'kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje''. Jezusi i tha: ''Çohu, merr vigun tënd dhe ec!''. Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë. Prandaj judenjtë i thanë atij që u shërua: ''Është e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!''. Ai iu përgjigj atyre: ''Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!"''. Atëherë ata e pyetën: ''Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?''. Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend. Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: ''Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe''. Ai njeri shkoi dhe u tregoi judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi. Për këtë judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave. Por Jezusi u përgjigj atyre: ''Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj''. Për këtë judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë