Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 4:8-29

Gjoni 4:7-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ndërkohë që dishepujt kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime, një grua nga Samaria erdhi për të mbushur ujë. Jezui i tha: «Më jep të pi!». Gruaja samaritane i tha: «Ti që je jude, si kërkon të pish ujë nga unë që jam grua samaritane?». Dihet se judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët. Jezui u përgjigj: «Sikur ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe atë që po të kërkon për të pirë, atëherë ti do të kërkoje prej tij e ai do të të jepte ujë të gjallë». Gruaja i tha: «Zotëri, ti nuk ke kovë e pusi është i thellë. Ku do ta gjesh ujin e gjallë? Mos je ti më i madh se Jakobi, ati ynë, që na e dha këtë pus? Ai vetë ka pirë prej këtij pusi bashkë me të bijtë e me bagëtitë». Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri, por ai që do të pijë nga uji që do t'i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t'i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar». Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje e të mos vij më këtu për të mbushur ujë». Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd e kthehu këtu». Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë». Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë, se ke pasur pesë burra e ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën». Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet. Etërit tanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem». Atëherë Jezui i tha: «Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në Shpirt e në të vërtetë, se të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në Shpirt e në të vërtetë». Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka». Jezui i tha: «Unë jam, unë që po të flas». Atëherë mbërritën dishepujt e tij e u çuditën që po fliste me një grua. Megjithatë askush nuk i tha: «Çfarë kërkon?» apo: «Përse flet me të?». Gruaja la shtambën e shkoi në qytet për t'u thënë njerëzve: «Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?».

Gjoni 4:8-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime. Por gruaja samaritane i tha: ''Po qysh, ti që je jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?'' (Sepse judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët). Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!", ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë''. Gruaja i tha: ''Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë? Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje, por kush pi nga uji që do t'i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t'i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme''. Gruaja i tha: ''Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!''. Jezusi i tha: ''Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu''. Gruaja u përgjigj dhe i tha: ''Unë nuk kam burrë''. Jezusi i tha: ''Mirë the: "Nuk kam burrë", sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!''. Gruaja i tha: ''Zot, po shoh se ti je një profet. Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë''. Jezusi i tha: ''O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin. Ju adhuroni atë që s'e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën''. Gruaja i tha: ''Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë''. Jezusi i tha: ''Unë jam, ai që po të flet!''. Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: ''Çfarë do?'' ose: ''Pse po flet me të?''. Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve: ''Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?''.