Gjoni 4:46-53
Gjoni 4:46-53 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui shkoi përsëri në Kanë të Galilesë, ku kishte kthyer ujin në verë. Një nëpunës mbretëror, që kishte të birin sëmurë në Kafarnaum, kur dëgjoi se Jezui kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi e i kërkoi të zbriste deri në Kafarnaum e t'i shëronte të birin që ishte duke vdekur. Atëherë Jezui i tha: «Ju nuk besoni nëse nuk shikoni shenja e mrekulli». Nëpunësi i tha: «Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija». Jezui i tha: «Shko në shtëpi! Yt bir do të jetojë». Ai u besoi fjalëve të Jezuit e shkoi. Duke zbritur për në shtëpi, shërbëtorët i dolën para e i thanë se djali i tij ishte mirë. Atëherë ai i pyeti për orën kur u bë më mirë djali e ata i thanë: «Dje, në orën një të drekës e lanë ethet». Atëherë i ati e kuptoi se ajo ishte ora kur Jezui i kishte thënë: «Yt bir do të jetojë». Kështu besoi ai vetë e të gjithë ata të shtëpisë së tij.
Gjoni 4:46-53 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Jezusi erdhi, pra, përsëri në Kanë të Galilesë, ku e kishte bërë ujin verë. Dhe aty ishte një nëpunës i mbretit, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum. Ky, kur dëgjoi se Jezusi kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi tek ai dhe iu lut që të zbriste e ta shëronte birin e tij, që ishte gati për vdekje. Atëherë Jezusi i tha: ''Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni''. Nëpunësi i mbretit i tha: ''Zot, zbrit para se djali im të vdesë''. Jezusi i tha: ''Shko, djali yt jeton!''. Dhe ai njeri i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi. Pikërisht kur ai po zbriste, i dolën përpara shërbëtorët e vet dhe e informuan duke thënë: ''Djali yt jeton!''. Dhe ai i pyeti ata në cilën orë u bë më mirë; ata i thanë: ''Dje në orën e shtatë e lanë ethet''. Atëherë i ati e kuptoi se ishte pikërisht në atë orë në të cilën Jezusi i kishte thënë: ''Djali yt jeton''; dhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.