Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 3:1-21

Gjoni 3:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Mes farisenjve ishte një njeri që quhej Nikodem. Ky ishte njëri nga krerët e judenjve. Ai shkoi natën te Jezui e i tha: «Mësues, e dimë se vjen nga Perëndia, se askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, nëse Perëndia nuk është me të». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lindet përsëri, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë». Nikodemi i tha: «Si mund të lindet përsëri një njeri kur është i thyer në moshë? A mund të hyjë për së dyti në barkun e nënës e të lindet përsëri?». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po të them se ai që nuk lind nga uji e nga Shpirti, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Çfarë lind nga njeriu është njerëzore, çfarë lind nga Shpirti është shpirtërore. Mos u çudit se të thashë: “Duhet të lindeni përsëri”. Era fryn ku të dojë; ushtimën ia dëgjon, por nuk e di nga vjen e ku shkon. Kështu janë edhe ata që linden nga Shpirti». Nikodemi e pyeti: «Si mund të ndodhin këto gjëra?». Jezui u përgjigj: «Ti je mësues i Izraelit e nuk i kupton këto gjëra? Me të vërtetë po të them: flasim atë që dimë e dëshmojmë atë që kemi parë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë. Nëse nuk më besoni kur ju flas për gjërat tokësore, si do të më besoni po t'ju flas për gjërat qiellore? Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç Birit të njeriut që ka zbritur prej qiellit. Ashtu si Moisiu lartësoi gjarprin prej bronzi në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe Biri i njeriut, që kushdo që beson në të, të ketë jetën e amshuar. Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar. Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë për ta gjykuar botën, por që bota të shpëtohet nëpërmjet tij. Kush beson në të nuk gjykohet, ndërsa kush nuk beson në të është gjykuar tashmë, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë. Gjykimi është ky: drita ka ardhur në botë, por njerëzit kanë dashur errësirën më shumë se dritën, se veprat e tyre ishin të liga. Kush bën gjëra të këqija e urren dritën e nuk del në dritë, që të mos zbulohen veprat e tij. Ndërsa kush bën të vërtetën del në dritë, që të shfaqet se veprat e tij janë bërë me fuqinë e Perëndisë».

Gjoni 3:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një kre i judenjve. Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: ''Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të''. Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë''. Nikodemi i tha: ''Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?''. Jezusi u përgjigj: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri". Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma''. Nikodemi, duke u përgjigjur, i tha: ''Si mund të ndodhin këto gjëra?''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se ne flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që pamë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë. Në qoftë se ju fola për gjërat tokësore dhe ju nuk besoni, si do të më besoni nëse ju flas për gjërat qiellore? Askush nuk u ngjit në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, pra, Birit të njeriut që është në qiell. Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij. Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë. Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta. Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij; por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë''.