Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 3:1-12

Gjoni 3:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një kre i judenjve. Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: ''Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të''. Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë''. Nikodemi i tha: ''Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?''. Jezusi u përgjigj: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri". Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma''. Nikodemi, duke u përgjigjur, i tha: ''Si mund të ndodhin këto gjëra?''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se ne flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që pamë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë. Në qoftë se ju fola për gjërat tokësore dhe ju nuk besoni, si do të më besoni nëse ju flas për gjërat qiellore?