Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 21:15-23

Gjoni 21:15-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur mbaruan së ngrëni, Jezui i tha Simon Pjetrit: «Simon i Gjonit, a më do më shumë se këta të tjerët?». Pjetri i tha: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti qengjat e mi!». Jezui i tha përsëri për herë të dytë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri iu përgjigj: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Ruaji delet e mia!». Jezui e pyeti për herë të tretë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri u trishtua që e pyeti për herë të tretë «A më do?», prandaj i tha: «Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti delet e mia! Me të vërtetë po të them se kur ishe i ri, e ngjishje rripin në brez e shkoje ku të doje, por kur të plakesh do të shtrish duart dhe dikush tjetër do të ta ngjeshë rripin e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje». Këtë e tha për të treguar se me ç'vdekje do të përlëvdonte Pjetri Perëndinë. Pastaj i tha: «Më ndiq!». Pjetri u kthye dhe pa se po i ndiqte edhe dishepulli që Jezui e donte, ai që ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezuit gjatë darkës dhe i kishte thënë: «Zot, kush është ai që po të tradhton?». Pjetri, kur e pa, i tha Jezuit: «Zot, po me të ç'do të bëhet?». Jezui i tha: «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet? Ti më ndiq!». Atëherë midis vëllezërve u përhap fjala se ai dishepull nuk do të vdiste, por Jezui nuk kishte thënë se ai nuk do të vdiste, por «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet?».

Gjoni 21:15-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ''Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti qengjat e mi!''. Përsëri e pyeti për të dytën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Ki kujdes për delet e mia''. E pyeti për të tretën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ''A më do ti mua?'', dhe iu përgjigj: ''Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti delet e mia. Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t'i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje''. I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç'vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: ''Ndiqmë''. Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: ''Zot, kush është ai që po të tradhton?''. Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: ''Zot, dhe me të ç'do të bëhet?''. Jezusi iu përgjigj: ''Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç'të duhet? Ti ndiqmë!''. Atëherë u hap zëri midis vëllezërve se ai dishepull nuk do të vdiste; por Jezusi nuk i kishte thënë Pjetrit se ai nuk do të vdiste, por: ''Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç'të duhet?''.