Gjoni 20:10-18 - Compare All Versions
Gjoni 20:10-18 AL1 (Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK))
Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi. Maria qëndronte përjashta pranë varrit duke qarë. Ndërsa qante, u përkul drejt varrit dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha që qëndronin atje ku kishte qenë shtrirë trupi i Jezuit, njëri te koka e tjetri te këmbët. Ata i thanë: «Grua, përse po qan?». Ajo u tha: «E kanë marrë Zotin tim dhe nuk e di ku e kanë vënë». Si tha këto, ajo u kthye prapa dhe pa Jezuin që qëndronte më këmbë, por nuk e dinte se ishte ai. Jezui i tha: «Grua, përse po qan? Kë po kërkon?». Ajo, duke kujtuar se ishte kopshtari, i tha: «Zotëri, nëse e ke marrë ti, më thuaj ku e vure dhe unë do ta marr». Jezui i tha: «Mari!». Ajo u kthye e i tha në hebraisht: «Rabbuni!» që do të thotë mësues. Jezui i tha: «Mos më prek, se nuk jam ngjitur ende tek Ati. Por, shko te vëllezërit e mi e thuaju se unë po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, Perëndia im e Perëndia juaj». Maria Magdalena shkoi dhe i lajmëroi dishepujt se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë asaj këto fjalë.
Gjoni 20:10-18 ALBB (Bibla Shqip 1994)
Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi. Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit, dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit. Ata i thanë: ''O grua, pse po qan?''. Ajo u përgjigj atyre: ''Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë''. Si tha këtë, ajo u soll prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi. Jezusi i tha: ''O grua, pse po qan? Kë kërkon?''. Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: ''Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr''. Jezusi i tha: ''Mari!''. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: ''Rabboni!'', që do të thotë: Mësues. Jezusi i tha: ''Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj''. Atëherë Maria Magdalena shkoi t'jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra.