Gjoni 20:1-8
Gjoni 20:1-8 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, ndërsa ishte ende errësirë, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa gurin të larguar nga hyrja. Atëherë ajo shkoi me vrap te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, ai të cilin Jezui e donte, e u tha: «E kanë marrë Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e kanë vënë». Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë e shkuan te varri. Vraponin që të dy, por dishepulli tjetër vrapoi më shpejt se Pjetri dhe mbërriti i pari te varri. U përkul dhe pa pëlhurat e lëna atje, por nuk hyri brenda. Ndërkohë mbërriti edhe Simon Pjetri, që po vinte pas tij, dhe hyri në varr. Aty pa të lëna pëlhurat si dhe rizën që kishte qenë mbi kokën e Jezuit. Kjo nuk ishte me pëlhurat, por ishte e mbështjellë veç në një vend tjetër. Atëherë hyri edhe dishepulli tjetër që kishte mbërritur i pari te varri. Ai pa dhe besoi.
Gjoni 20:1-8 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por ditën e parë pas së shtunës, në mëngjes, kur ishte ende errët, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa se guri ishte hequr nga varri. Atëherë rendi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha atyre: ''E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë''. Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë dhe u nisën për te varri. Rendnin të dy bashkë, por dishepulli tjetër rendi përpara, më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri. Dhe, si u përkul, pa pëlhurat prej liri që ishin në varr, por nuk hyri aty. Arriti edhe Simon Pjetri që po e ndiqte, hyri në varr dhe pa pëlhurat prej liri që ishin përtokë, dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit; ajo nuk ishte bashkë me pëlhurat, por ishte e palosur në një vend, veç. Atëherë hyri edhe ai dishepull tjetër që kishte arritur i pari te varri, pa dhe besoi.