Gjoni 19:25-30
Gjoni 19:25-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena. Jezui, kur pa të ëmën dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha asaj: «Grua, ja biri yt!». Pastaj i tha dishepullit: «Ja nëna jote!». Që atëherë dishepulli e mori atë në shtëpinë e tij. Pas këtyre gjërave, Jezui e dinte se tashmë gjithçka ishte kryer dhe, që të përmbushej Shkrimi, tha: «Kam etje!». Atje ndodhej një enë e mbushur me uthull. Atëherë ushtarët ngjyen një sfungjer në uthull, e vunë në një degë hisopi dhe ia afruan Jezuit te goja. Pasi e provoi uthullën, Jezui tha: «U krye!». Pastaj vari kokën e dha shpirt.
Gjoni 19:25-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por afër kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë. Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ''O grua, ja biri yt!''. Pastaj i tha dishepullit: ''Ja nëna jote!''. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet. Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: ''Kam etje!''. Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një degë hisopi, ia afruan te goja. Kur Jezusi e mori uthullën, tha: ''U krye!''. Dhe duke ulur kryet, dha frymën.