Gjoni 19:1-42
Gjoni 19:1-42 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Pilati urdhëroi të merrej Jezui e të rrihej me fshikull. Ushtarët thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë. Pastaj e veshën me një petk të purpurt, i afroheshin, e godisnin me shuplaka e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». Pilati doli përsëri jashtë e u tha judenjve: «Ja, po jua sjell jashtë, që të shihni se nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». Jezui doli jashtë me kurorën e gjembave në kokë dhe i veshur me petkun e purpurt. Pilati u tha: «Ja njeriu!». Kur e panë, kryepriftërinjtë dhe rojat thirrën: «Kryqëzoje! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Merreni ju e kryqëzojeni, se unë nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». Judenjtë u përgjigjën: «Ne kemi një ligj dhe sipas tij ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë». Kur dëgjoi këto fjalë, Pilati u frikësua më shumë, hyri përsëri në pretorium dhe e pyeti Jezuin: «Nga je ti?». Jezui nuk i dha asnjë përgjigje. Atëherë Pilati i tha: «Mua nuk më flet? A nuk e di ti se unë kam pushtet të të liroj dhe kam pushtet të të kryqëzoj?». Jezui u përgjigj: «Ti nuk do të kishe asnjë pushtet mbi mua, po të mos të të ishte dhënë nga lart. Prandaj ai që më dorëzoi te ti, ka mëkat edhe më të madh». Që nga ai çast Pilati kërkonte ta lironte Jezuin, por judenjtë thërrisnin: «Po e lirove këtë, nuk je më mik i Cezarit. Kushdo që e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit!». Pilati, kur dëgjoi këto fjalë, e solli Jezuin jashtë dhe u ul në fronin e gjykatësit, në vendin që quhej «Rruga e Gurtë», në hebraisht «Gabbatha». Ishte e premte, dita e përgatitjes së Pashkës, rreth orës dymbëdhjetë të drekës. Pilati u tha judenjve: «Ja mbreti juaj!». Por ata thirrën: «Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Mbretin tuaj të kryqëzoj?». Kryepriftërinjtë iu përgjigjën: «Ne nuk kemi mbret tjetër, përveç Cezarit». Pastaj Pilati ua dorëzoi që të kryqëzohej. Kështu, ata e morën Jezuin. Duke mbajtur kryqin e vet, Jezui shkoi në vendin e quajtur «Kafka» që në hebraisht quhet «Golgota». Atje e kryqëzuan bashkë me dy të tjerë, njërin nga njëra anë dhe tjetrin nga ana tjetër, ndërsa Jezuin mes të tyre. Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri mbi kryq. Në të shkruhej: «Jezui i Nazaretit, mbreti i judenjve». Shumë judenj e lexuan atë mbishkrim, se vendi ku ishte kryqëzuar Jezui ndodhej afër qytetit dhe mbishkrimi ishte shkruar në hebraisht, latinisht e greqisht. Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit: «Mos shkruaj: “Mbreti i judenjve”, por shkruaj: “Ky ka thënë: jam mbreti i judenjve”». Pilati u përgjigj: «Çfarë shkrova, shkrova». Pasi e kryqëzuan Jezuin, ushtarët morën rrobat e tij dhe i ndanë në katër pjesë, nga një pjesë për secilin. Morën edhe tunikën, por ajo ishte e paqepur, e gjitha e endur nga lart deri poshtë. Atëherë ushtarët i thanë njëri-tjetrit: «Mos ta grisim, por të hedhim short për të parë kujt do t'i takojë». Kjo, që të përmbushej Shkrimi që thotë: i ndanë rrobat e mia mes tyre dhe hodhën short për petkun tim. Dhe ushtarët kështu bënë. Pranë kryqit të Jezuit qëndronin nëna e tij, motra e nënës së tij, Maria e Klopës dhe Maria Magdalena. Jezui, kur pa të ëmën dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha asaj: «Grua, ja biri yt!». Pastaj i tha dishepullit: «Ja nëna jote!». Që atëherë dishepulli e mori atë në shtëpinë e tij. Pas këtyre gjërave, Jezui e dinte se tashmë gjithçka ishte kryer dhe, që të përmbushej Shkrimi, tha: «Kam etje!». Atje ndodhej një enë e mbushur me uthull. Atëherë ushtarët ngjyen një sfungjer në uthull, e vunë në një degë hisopi dhe ia afruan Jezuit te goja. Pasi e provoi uthullën, Jezui tha: «U krye!». Pastaj vari kokën e dha shpirt. Meqë ishte e premte judenjtë nuk donin që trupat të liheshin në kryq të shtunën se ajo e shtunë ishte ditë e madhe, prandaj i kërkuan Pilatit t'u thyenin kërcinjtë të kryqëzuarve e t'i zbrisnin. Atëherë erdhën ushtarët e i thyen kërcinjtë të parit, pastaj edhe të dytit që ishte kryqëzuar me Jezuin. Kur erdhën te Jezui dhe panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri nga ushtarët i shpoi brinjën me heshtë dhe menjëherë doli gjak e ujë. Këto gjëra i ka dëshmuar ai që i pa dhe dëshmia e tij është e vërtetë. Ai e di se thotë të vërtetën që edhe ju të besoni. Këto gjëra ndodhën që të përmbushet Shkrimi: nuk do t'i thyhet asnjë eshtër si dhe Shkrimi tjetër që thotë: do të shikojnë atë që shpuan me heshtë. Pas këtyre, Jozefi nga Arimateja, që ishte fshehtas dishepull i Jezuit nga frika e judenjve, i kërkoi Pilatit të merrte trupin e Jezuit dhe Pilati e lejoi. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin. Erdhi edhe Nikodemi, ai që dikur kishte shkuar natën te Jezui, dhe solli rreth tridhjetë litra përzierje mirre dhe aloeje. Ata e morën trupin e Jezuit, e mbështollën me pëlhura dhe e lyen me vajra erëmirë, siç e kanë zakon judenjtë kur varrosin dikë. Në vendin ku u kryqëzua Jezui ndodhej një kopsht dhe brenda në kopsht ishte një varr i ri në të cilin ende nuk kishin varrosur njeri. Aty e varrosën Jezuin, meqenëse ishte e premtja para festës së judenjve dhe varri ishte afër.
Gjoni 19:1-42 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin. Dhe ushtarët thurën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën sipër një mantel të purpurt, dhe thoshin: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve''; dhe i binin me shuplaka. Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: ''Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj''. Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: ''Ja njeriu!''. Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: ''Kryqëzoje, kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj''. Judenjtë iu përgjigjën: ''Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë''. Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë; dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: ''Nga je ti?''. Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje. Për këtë arsye Pilati i tha: ''S'po më flet? ti s'e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?''. Jezusi u përgjigj: ''Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh''. Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por judenjtë bërtisnin, duke thënë: ''Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit''. Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha"; tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha judenjve: ''Ja mbreti juaj''. Por ata bërtitën: ''Largoje! Largoje! Kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Ta kryqëzoj mbretin tuaj?''. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ''Ne s'kemi mbret tjetër përveç Cezarit!''. Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje. Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka", që në hebraisht quhet "Golgota", ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes. Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE". Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht. Prandaj krerët e priftërinjve të judenjve i thanë Pilatit: ''Mos shkruaj: "Mbreti i judenjve", por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i judenjve"''. Pilati u përgjigj: ''Atë që kam shkruar, e kam shkruar!''. Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund. Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: ''Nuk e grisim, por hedhim short kujt t'i bjerë''; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: ''I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time''. Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra. Por afër kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë. Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ''O grua, ja biri yt!''. Pastaj i tha dishepullit: ''Ja nëna jote!''. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet. Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: ''Kam etje!''. Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një degë hisopi, ia afruan te goja. Kur Jezusi e mori uthullën, tha: ''U krye!''. Dhe duke ulur kryet, dha frymën. Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t'u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej. Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të; por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë. Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni. Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: ''Nuk do t'i thyhet asnjë eshtër''. Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: ''Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar''. Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimateja, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit. Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash. Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin judenjtë. Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush. Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.