Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 19:1-16

Gjoni 19:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Pilati urdhëroi të merrej Jezui e të rrihej me fshikull. Ushtarët thurën një kurorë me gjemba dhe ia vunë në kokë. Pastaj e veshën me një petk të purpurt, i afroheshin, e godisnin me shuplaka e i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». Pilati doli përsëri jashtë e u tha judenjve: «Ja, po jua sjell jashtë, që të shihni se nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». Jezui doli jashtë me kurorën e gjembave në kokë dhe i veshur me petkun e purpurt. Pilati u tha: «Ja njeriu!». Kur e panë, kryepriftërinjtë dhe rojat thirrën: «Kryqëzoje! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Merreni ju e kryqëzojeni, se unë nuk gjej tek ai asnjë arsye për ta dënuar». Judenjtë u përgjigjën: «Ne kemi një ligj dhe sipas tij ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë». Kur dëgjoi këto fjalë, Pilati u frikësua më shumë, hyri përsëri në pretorium dhe e pyeti Jezuin: «Nga je ti?». Jezui nuk i dha asnjë përgjigje. Atëherë Pilati i tha: «Mua nuk më flet? A nuk e di ti se unë kam pushtet të të liroj dhe kam pushtet të të kryqëzoj?». Jezui u përgjigj: «Ti nuk do të kishe asnjë pushtet mbi mua, po të mos të të ishte dhënë nga lart. Prandaj ai që më dorëzoi te ti, ka mëkat edhe më të madh». Që nga ai çast Pilati kërkonte ta lironte Jezuin, por judenjtë thërrisnin: «Po e lirove këtë, nuk je më mik i Cezarit. Kushdo që e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit!». Pilati, kur dëgjoi këto fjalë, e solli Jezuin jashtë dhe u ul në fronin e gjykatësit, në vendin që quhej «Rruga e Gurtë», në hebraisht «Gabbatha». Ishte e premte, dita e përgatitjes së Pashkës, rreth orës dymbëdhjetë të drekës. Pilati u tha judenjve: «Ja mbreti juaj!». Por ata thirrën: «Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!». Pilati u tha: «Mbretin tuaj të kryqëzoj?». Kryepriftërinjtë iu përgjigjën: «Ne nuk kemi mbret tjetër, përveç Cezarit». Pastaj Pilati ua dorëzoi që të kryqëzohej.

Gjoni 19:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin. Dhe ushtarët thurën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën sipër një mantel të purpurt, dhe thoshin: ''Tungjatjeta, o mbret i judenjve''; dhe i binin me shuplaka. Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: ''Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj''. Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: ''Ja njeriu!''. Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: ''Kryqëzoje, kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj''. Judenjtë iu përgjigjën: ''Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë''. Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë; dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: ''Nga je ti?''. Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje. Për këtë arsye Pilati i tha: ''S'po më flet? ti s'e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?''. Jezusi u përgjigj: ''Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh''. Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por judenjtë bërtisnin, duke thënë: ''Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit''. Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha"; tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha judenjve: ''Ja mbreti juaj''. Por ata bërtitën: ''Largoje! Largoje! Kryqëzoje!''. Pilati u tha atyre: ''Ta kryqëzoj mbretin tuaj?''. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ''Ne s'kemi mbret tjetër përveç Cezarit!''. Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.