Gjoni 18:1-11
Gjoni 18:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Si tha këto, Jezui doli bashkë me dishepujt e shkoi përtej përroit të Kedronit. Atje ishte një kopsht ku ai hyri me dishepujt. Atë vend e njihte edhe Juda, ai që e tradhtoi, sepse Jezui mblidhej shpesh atje me dishepujt. Kështu, Juda shkoi te kopshti pasi kishte marrë me vete kohortën dhe disa roja, nga kryepriftërinjtë e farisenjtë, me fenerë, pishtarë dhe armë në duar. Jezui, duke ditur gjithçka që do t'i ndodhte, u doli para e u tha: «Kë kërkoni?». Ata iu përgjigjën: «Jezuin e Nazaretit». Ai u tha: «Unë jam». Me ta ishte edhe Juda, ai që e tradhtoi. Kur Jezui u tha: «Unë jam», ata u zmbrapsën e ranë përdhe. Atëherë Jezui i pyeti përsëri: «Kë kërkoni?». Ata i thanë: «Jezuin e Nazaretit». Jezui u përgjigj: «Ju thashë se unë jam. Nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë». Kështu u vërtetua fjala që kishte thënë: «Nuk humba asnjë nga ata që më ke dhënë». Simon Pjetri kishte një shpatë. E nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. Atëherë Jezui i tha Pjetrit: «Fute shpatën në mill! Të mos e pi kupën e vuajtjeve që më dha Ati?».
Gjoni 18:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij. Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij. Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë. Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t'i ndodhte, doli dhe i pyeti: ''Kë kërkoni?''. Ata iu përgjigjën: ''Jezusin Nazareas''. Jezusi u tha atyre: ''Unë jam!''. Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta. Sapo ai u tha atyre: ''Unë jam'', ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe. Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: ''Kë kërkoni?''. Ata thanë: ''Jezusin Nazareas''. Jezusi u përgjigj: ''Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë''; që të përmbushej fjala që kishte thënë: ''Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë''. Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk. Por Jezusi i tha Pjetrit: ''Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?''.