Gjoni 16:7-15
Gjoni 16:7-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Por unë po ju them të vërtetën: është më mirë për ju që unë të shkoj, se po nuk shkova unë, Ngushëlluesi nuk do të vijë te ju, ndërsa po të shkoj, atëherë do t'jua dërgoj. Kur të vijë, ai do ta bindë botën se është fajtore në lidhje me mëkatin, drejtësinë dhe gjykimin. Në lidhje me mëkatin, sepse nuk beson në mua. Në lidhje me drejtësinë, sepse unë po shkoj tek Ati e nuk do të më shihni më. Në lidhje me gjykimin, sepse princi i kësaj bote është gjykuar. Kam edhe shumë gjëra të tjera për t'ju thënë, por tani nuk mund t'i mbani. Por kur të vijë Shpirti i së vërtetës, ai do t'ju drejtojë tek e gjithë e vërteta. Ai nuk do të flasë nga vetja, por do të flasë ato që do të dëgjojë e do t'ju njoftojë gjërat që do të ndodhin. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë nga gjërat e mia e do t'jua lajmërojë. Gjithçka që ka Ati është e imja, prandaj ju thashë se do të marrë nga të miat e do t'jua lajmërojë».
Gjoni 16:7-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t'jua dërgoj. Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim. Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua; për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më; për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar. Kam edhe shumë gjëra të tjera për t'ju thënë, por ato ende ju nuk mund t'i mbani. Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t'ju kumtojë gjërat që do vijnë. Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t'jua kumtojë. Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë se ai do të marrë prej simes dhe do t'jua kumtojë.