Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 16:16-33

Gjoni 16:16-33 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Edhe pak e nuk do të më shihni më. Edhe pak pastaj e do të më shihni sërish». Disa nga dishepujt i thanë njëri-tjetrit: «Ç'është kjo që na thotë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më; edhe pak pastaj e do të më shihni sërish”, apo: “Unë po shkoj tek Ati”?». Ata thoshin: «Ç'është kjo, “edhe pak”, që thotë? Nuk po kuptojmë çfarë thotë!». Jezui e kuptoi se donin ta pyesnin, prandaj u tha: «Po diskutoni me njëri-tjetrin se thashë: “Edhe pak e nuk do të më shihni më; edhe pak pastaj e do të më shihni sërish”?. Me të vërtetë po ju them se do të qani e do të vajtoni, ndërsa bota do të gëzohet. Ju do të hidhëroheni, por hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim. Kur gruaja është duke lindur, hidhërohet, se i erdhi ora e dhimbjeve, por kur lind foshnja, ajo e harron vuajtjen nga gëzimi se ka lindur një njeri në botë. Kështu dhe ju tani jeni të hidhëruar, por kur t'ju shoh përsëri, do t'ju gëzohet zemra dhe askush nuk do t'jua marrë gëzimin. Atë ditë nuk do të më pyesni për asgjë. Me të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, do t'jua japë. Deri tani nuk keni kërkuar asgjë në emrin tim. Kërkoni e do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë». «Këto gjëra jua thashë me përngjasime, por po vjen koha kur nuk do t'ju flas më me përngjasime, por do t'ju flas hapur për Atin. Atë ditë do të kërkoni në emrin tim e nuk ju them se do t'i lutem Atit për ju. Vetë Ati ju do, sepse më keni dashur mua dhe keni besuar se unë kam dalë prej Perëndisë. Unë kam dalë prej Atit e kam ardhur në botë. Po e lë përsëri botën e po kthehem tek Ati». Dishepujt i thanë: «Ja, tani ti po flet hapur e nuk po thua asgjë me përngjasime. Tani e dimë se ti di gjithçka e nuk ke nevojë që ndokush të të pyesë. Prandaj besojmë se ke dalë prej Perëndisë». Jezui u përgjigj: «Tani besoni? Ja ku po vjen ora, e madje ka ardhur, kur ju do të shpërndaheni secili në shtëpi të vet e do të më lini vetëm. Por unë nuk jam vetëm, se Ati është me mua. Jua thashë këto që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngime, por kini guxim! Unë e kam mundur botën!».

Gjoni 16:16-33 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati''. Atëherë disa nga dishepujt e tij thoshin midis tyre: ''Ç'është kjo që po na thotë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni" dhe: "Sepse unë po shkoj te Ati"?''. thoshin pra: ''Ç'është kjo "Pas pak", për të cilën flet? Ne s'dimë ç'do të thotë''. Jezusi, pra, e kuptoi se ata donin ta pyesnin dhe u tha atyre: ''Ju po pyesni njëri-tjetrin pse thashë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "E përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni"? Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim. Gruaja, kur lind, ka dhembje, sepse i erdhi ora; por, sapo e ka lindur fëmijën, nuk kujton më ankthin prej gëzimit që lindi një qenie njerëzore në botë. Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t'ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t'ua heqë gëzimin tuaj. Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t'jua japë. Deri tani ju s'keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë. Jua kam thënë këto gjëra në shëmbëlltyra, por po vjen ora kur nuk do t'ju flas më me shëmbëlltyra, por do t'ju flas haptas për Atin. Në atë ditë ju do të kërkoni në emrin tim; dhe nuk po them se unë do t'i lutem Atit për ju; Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia. Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati''. Dishepujt e tij i thanë: ''Ja, ti tani po flet haptas dhe s'po përdor asnjë shëmbëlltyrë. Tani ne njohim se ti di gjithçka dhe s'ke nevojë që ndokush të të pyesë; prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia''. Jezusi u përgjigj atyre: ''A besoni tani? Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua. Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë