Gjoni 15:18-27
Gjoni 15:18-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Nëse bota ju urren, dijeni se më ka urryer mua para jush. Po të ishit prej kësaj bote, atëherë bota do t'ju donte si të vetët. Por, ngaqë ju kam zgjedhur nga bota e nuk jeni prej kësaj bote, prandaj dhe ju urren. Kujtoni fjalët që ju thashë: shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Nëse më përndoqën mua do t'ju përndjekin edhe ju. Nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën. Por të gjitha këto do t'jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më dërgoi. Po të mos kisha ardhur e të mos u kisha folur, nuk do të kishin mëkat, por tani nuk kanë shfajësim për mëkatin e tyre. Kush më urren mua, urren edhe Atin tim. Po të mos kisha bërë mes tyre veprat që askush tjetër nuk i ka bërë, nuk do të kishin mëkat, por tani kanë parë dhe më kanë urryer edhe mua, edhe Atin tim. Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: më urryen pa asnjë shkak. Kur të vijë Ngushëlluesi, që unë do t'ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së vërtetës, i cili del nga Ati, ai do të dëshmojë për mua. Edhe ju do të dëshmoni, sepse keni qenë me mua që nga fillimi».
Gjoni 15:18-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush. Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren. Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti". Nëse më kanë përndjekur mua, do t'ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën. Të gjitha këto gjëra do t'jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar. Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre. Kush më urren mua, urren edhe Atin tim. Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim. Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: "Më kanë urryer pa shkak". Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t'ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua. Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi''.