Gjoni 15:1-9
Gjoni 15:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. Çdo shermend që është në mua e që nuk jep fryt, ai e këput, ndërsa çdo shermend që jep fryt ai e krasit dhe e pastron, që të japë më shumë fryt. Fjala që unë ju kam folur, ju ka pastruar tashmë. Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt vetvetiu, pa qëndruar në hardhinë, kështu as ju nuk do të mund të jepni fryt nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. Nëse dikush nuk qëndron në mua, do të hidhet jashtë si shermendi e do të thahet. Këta shermende do t'i mbledhin, do t'i hedhin në zjarr e do të digjen. Po të qëndroni në mua dhe fjalët e mia të qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni e do t'ju jepet. Në këtë përlëvdohet Ati im: që të jepni shumë fryt e të bëheni dishepujt e mi. Unë ju kam dashur, ashtu siç më ka dashur Ati mua. Qëndroni në dashurinë time!
Gjoni 15:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
''Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt. Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova. Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen. Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t'ju bëhet. Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi. Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.