Gjoni 14:12-17
Gjoni 14:12-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Me të vërtetë po ju them se kush beson në mua do t'i bëjë edhe ai veprat që bëj unë, madje do të bëjë vepra edhe më të mëdha, sepse unë po shkoj tek Ati. Unë do të bëj çdo gjë që do të kërkoni në emrin tim, që Ati të përlëvdohet në Birin. Çfarëdo që të më kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj». «Nëse më doni, do të zbatoni urdhërimet e mia. Unë do t'i kërkoj Atit t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju, Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon e nuk e njeh. Ju e njihni, sepse qëndron pranë jush dhe do të jetë në ju.
Gjoni 14:12-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati. Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin. Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj''. ''Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia. Dhe unë do t'i lutem Atit dhe ai do t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.