Gjoni 13:3-10
Gjoni 13:3-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui e dinte se Ati i kishte dhënë gjithçka në dorë dhe se nga Perëndia kishte dalë e te Perëndia po kthehej. Atëherë u ngrit nga darka, hoqi petkun, mori një peshqir dhe e lidhi në brez. Pastaj hodhi ujë në një enë e filloi t'ua lante këmbët dishepujve e t'ua fshinte me peshqirin që kishte lidhur në brez. Kur mbërriti te Simon Pjetri, ky i tha: «Zot, ti të më lash këmbët?». Jezui iu përgjigj: «Tani ti nuk e kupton këtë që po bëj, por do ta kuptosh më vonë». Pjetri i tha: «Nuk do të m'i lash kurrë këmbët!». Jezui u përgjigj: «Po nuk t'i lava, nuk ke pjesë me mua». Simon Pjetri i tha: «Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart, edhe kokën». Jezui i tha: «Kush është i larë, është krejt i pastër dhe nuk ka nevojë të lajë veçse këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë».
Gjoni 13:3-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej, u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh. Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t'ua fshinte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: ''Zot, ti të m'i lash këmbët mua?''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj''. Pjetri i tha: ''Ti kurrë nuk do të m'i lash këmbët''. Jezusi iu përgjigj: ''Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua''. Simon Pjetri i tha: ''Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën''. Jezusi i tha: ''Ai që është i larë, s'ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë''.