Gjoni 13:18-38
Gjoni 13:18-38 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Nuk po flas për të gjithë ju. Unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet Shkrimi: ai që ha bukë me mua ka ngritur thembrën kundër meje. Po jua them që tani, përpara se të ndodhë, që kur të ketë ndodhur të besoni se unë jam. Me të vërtetë po ju them se kush pranon atë që do të dërgoj unë, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi». Si tha këto, Jezui u trondit në shpirt e tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri prej jush do të më tradhtojë». Dishepujt filluan të shikonin njëri-tjetrin, se nuk e dinin për kë e kishte fjalën. Njëri prej dishepujve të tij, ai që Jezui e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezuit. Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë ta pyeste Jezuin për kë e kishte fjalën. Ai u përkul mbi kraharorin e Jezuit e i tha: «Zot, kush është?». Jezui u përgjigj: «Është ai të cilit do t'i jap kafshatën që do të ngjyej». Pasi e ngjeu kafshatën, ia dha Judës së Simon Iskariotit. Si mori kafshatën, tek ai hyri Satani. Atëherë Jezui i tha: «Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!». Asnjë nga ata që ishin ulur nuk e kuptoi përse i tha ashtu. Meqenëse Juda mbante qesen e parave, disa nga ata kujtuan se Jezui i kishte thënë të shkonte e të blinte ç'nevojitej për festën apo ndonjë gjë për t'u dhënë të varfërve. Juda mori kafshatën dhe doli menjëherë jashtë. Ishte natë. Kur doli Juda, Jezui tha: «Tani u përlëvdua Biri i njeriut dhe Perëndia u përlëvdua në të. Nëse Perëndia u përlëvdua në të, Perëndia do ta përlëvdojë në veten e tij dhe do ta përlëvdojë menjëherë. Bijtë e mi, edhe pak kohë jam me ju. Do të më kërkoni, por tani po ju them atë që u thashë judenjve: “Atje ku po shkoj unë, ju nuk mund të vini”. Po ju jap një urdhërim të ri: duajeni njëri-tjetrin sikurse ju kam dashur unë. Të gjithë do t'ju njohin që jeni dishepujt e mi nëse keni dashuri për njëri-tjetrin». Simon Pjetri i tha: «Zot, ku po shkon?». Jezui u përgjigj: «Atje ku po shkoj unë, tani ti nuk mund të më ndjekësh, por do të më ndjekësh më vonë». Pjetri i tha: «Zot, përse nuk mund të të ndjek tani? Unë do të jepja edhe jetën për ty». Jezui u përgjigj: «Ti do të japësh jetën për mua? Me të vërtetë po të them se gjeli nuk do të këndojë para se të më mohosh tri herë».
Gjoni 13:18-38 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje". Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar''. Mbasi i tha këto fjalë, Jezusi, u trondit në frymë, dhe dëshmoi e tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''. Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arrinin të kuptonin për kë po fliste. Por një nga dishepujt e tij, të cilin Jezusi e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezusit. Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë të pyeste kush ishte ai për të cilin foli. Dhe ai dishepull, duke u përkulur mbi kraharorin e Jezusit, e pyeti: ''Zot, kush është?''. Jezusi u përgjigj: ''Është ai të cilit do t'i jap kafshatën, pasi ta kem ngjyer''. Dhe e ngjeu kafshatën e ia dha Judë Iskariotit, birit të Simonit. Dhe pas kafshatës, Satani hyri në të. Atëherë Jezusi i tha: ''Ç'ke për të bërë, bëje shpejt!''. Por asnjë nga ata që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse ai e tha këtë. Disa në fakt mendonin se, duke qenë se Juda e mbante qesen, Jezusi i kishte thënë: ''Bli gjërat që na duhen për festën''; ose që t'u jepte diçka të varfërve. Ai, pra, mori kafshatën dhe doli menjëherë. Ishte natë. Kur doli ai, Jezusi tha: ''Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të. Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë. Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve. Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t'ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin''. Simon Pjetri i tha: ''Zot, ku po shkon?''. Jezusi iu përgjigj: ''Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh''. Pjetri i tha: ''Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!''. Jezusi iu përgjigj: ''Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!''.