Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 11:1-16

Gjoni 11:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Në atë kohë dergjej i sëmurë Lazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i motrës së saj, Martës. Maria, motra e Lazarit të sëmurë, ishte ajo që leu Zotin me mirrë e ia fshiu këmbët me flokët e saj. Atëherë motrat i çuan fjalë Jezuit: «Zot, miku yt i dashur është sëmurë». Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdinë e Perëndisë dhe që të përlëvdohet nëpërmjet saj Biri i Perëndisë». Jezui i donte shumë Martën, motrën e saj Marinë e Lazarin. Kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, qëndroi edhe dy ditë atje ku ishte e pastaj u tha dishepujve: «Le të kthehemi përsëri në Jude!». Dishepujt i thanë: «Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë e ti do që të shkosh përsëri atje?». Jezui u përgjigj: «A nuk ka dita dymbëdhjetë orë? Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. Por nëse dikush ecën natën, pengohet, se në të nuk ka dritë». Pasi u tha këto, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka fjetur, por po shkoj ta zgjoj». Dishepujt i thanë: «Zot, nëse ka fjetur do të shpëtojë». Por Jezui u kishte folur për vdekjen e Lazarit, ndërsa ata pandehën se ai u kishte folur për gjumin e zakonshëm. Atëherë Jezui u tha hapur: «Lazari ka vdekur. Gëzohem që nuk ndodhesha atje, në mënyrë që ju të besoni. Le të shkojmë tek ai!». Thomai, i quajtur Binjak, u tha dishepujve të tjerë: «Të shkojmë edhe ne të vdesim me të!».

Gjoni 11:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj. Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë. Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: ''Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë''. Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: ''Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë''. Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin. Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte. Pastaj u tha dishepujve: ''Të kthehemi përsëri në Jude''. Dishepujt i thanë: ''Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?''. Jezusi u përgjigj: ''Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote, por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të''. Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: ''Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj''. Atëherë dishepujt e tij thanë: ''Zot, po të flejë, do të shpëtojë''. Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit. Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: ''Llazari ka vdekur. Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai''. Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: ''Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të''.