Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 10:1-18

Gjoni 10:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës e kusar. Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve. Rojtari ia hap derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër e u prin përjashta. Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin. Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin». Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli. Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë, por delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë. Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë e ta kenë të plotë. Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari e nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet e ikën. Ujku i rrëmben ato e i shpërndan, sepse rrogëtari është rrogëtar e nuk shqetësohet për delet. Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, ashtu si Ati më njeh mua, edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet. Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t'i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari. Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap e kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im».

Gjoni 10:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar; kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve. Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë. Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij. Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve''. Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste. Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar. Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë. Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk. Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet. Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet. Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t'ia dijë për delet. Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet. Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t'i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm. Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë