Gjoni 10:1-10
Gjoni 10:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës e kusar. Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve. Rojtari ia hap derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër e u prin përjashta. Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin. Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin». Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli. Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë, por delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë. Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë e ta kenë të plotë.
Gjoni 10:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar; kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve. Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë. Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij. Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve''. Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste. Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar. Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë. Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.