Gjoni 1:1-13
Gjoni 1:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në fillim ishte Fjala. Fjala ishte me Perëndinë. Fjala ishte Perëndi. Fjala ishte që në fillim me Perëndinë. Gjithçka u bë nëpërmjet tij dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të. Në të gjendej jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve. Drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e mundi dot. Perëndia dërgoi një njeri që quhej Gjon. Ai erdhi të jepte dëshmi për dritën, që të gjithë të besojnë nëpërmjet tij. Ai nuk ishte drita, por dëshmitar i dritës. Fjala ishte drita e vërtetë, e cila vjen në botë dhe ndriçon çdo njeri. Ai ishte në botë dhe bota u bë nëpërmjet tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi te të vetët, por të vetët nuk e pranuan. Atyre që e pranuan dhe besuan në emrin e tij, u dha të drejtën të bëhen bij të Perëndisë. Ata nuk lindën prej gjakut, as prej vullnetit njerëzor a prej dëshirës së burrit, por prej Perëndisë.
Gjoni 1:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve. Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi. Qe një njeri i dërguar nga Perëndia; emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij; ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën. Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë. Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.