Jeremia 7:1-29
Jeremia 7:1-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Fjala që ZOTI i drejtoi Jeremisë e i tha: «Ndalu para portës së tempullit të ZOTIT dhe shpall aty këtë fjalë e thuaj: dëgjojeni fjalën e ZOTIT, të gjithë ju judenj, që vini te kjo portë për të adhuruar ZOTIN. Kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ndreqni sjelljen tuaj e veprat tuaja dhe do t'ju lejoj të banoni në këtë vend. Mos u zini besë fjalëve të rreme që thonë: “Ky është tempulli i ZOTIT, tempulli i ZOTIT, tempulli i ZOTIT”. Nëse me të vërtetë do të ndreqni sjelljen tuaj dhe veprimet tuaja, nëse do të zbatoni drejtësinë me njëri-tjetrin, nëse nuk do ta shtypni ardhacakun, jetimin e të venë, nëse nuk do të derdhni gjakun e pafajshëm në këtë vend e nëse nuk do të rendni pas perëndive të tjerë për të zezën tuaj, unë do t'ju lejoj të banoni në këtë vend, në tokën që u dhashë etërve tuaj nga amshimi në amshim. Por, ja, ju u zini besë fjalëve të rreme e të pavlera. Mos vallë doni të vidhni, të vritni, të shkelni kurorën, të betoheni në rrenë, t'i kushtoni temjan Baalit e të rendni pas perëndive të tjerë që nuk i njihnit? Pastaj vini e qëndroni para meje në këtë tempull, në të cilin thirret emri im, e thoni: “Jemi të lirë”, që të mund të bëni gjithë këto ndyrësira. Mos vallë ky tempull, në të cilin thirret emri im, u bë shpellë vjedhësish në sytë tuaj? Ja, e pashë vetë, kumton ZOTI. Shkoni, pra, te vendi im në Shiloh, ku e vura emrin tim të banonte në fillim, dhe shikoni çfarë bëra me të, për shkak të ligësisë së popullit tim, Izraelit. Tani, për shkak të të gjitha këtyre bëmave, kumton ZOTI, megjithëse fola me ju që në fillim, fola e nuk më dëgjuat, ju thirra e nuk m'u përgjigjët, do të veproj me këtë tempull, në të cilin thirret emri im e të cilit ju i zini besë, e me këtë vend, që jua kisha dhënë juve dhe etërve tuaj, siç veprova me Shilohun. Do t'ju dëboj nga prania ime, siç dëbova të gjithë vëllezërit tuaj, mbarë farën e Efraimit». «Por ti mos u lut për këtë popull, mos larto për të përgjërime e lutje dhe mos ndërhyj tek unë, se nuk do të të dëgjoj. A nuk e sheh çfarë po bëjnë në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jerusalemit? Bijtë mbledhin dru, etërit ndezin zjarrin dhe gratë përziejnë brumin, për t'i bërë kuleç mbretëreshës së qiellit. Pastaj u kushtojnë fli stërpikjeje perëndive të tjerë, për të më zemëruar mua. Mos vallë mua më fyejnë, kumton ZOTI, apo veten, për turpin e vet? Prandaj, kështu thotë ZOTI, Zoti im: ja, zemërimi im, tërbimi im zbrazet mbi këtë vend, mbi njerëzit e kafshët, mbi pemët e fushës e mbi frytet e tokës, e do të digjet pa u shuar. Kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Shtojuni flive tuaja fli shkrumbimi e hani mish, se unë as u fola e as u dhashë urdhra etërve tuaj për flitë e shkrumbimit e për flijimet, kur i nxora nga Egjipti, por u dhashë këtë urdhër: dëgjojeni zërin tim e unë do të jem Perëndia juaj e ju do të jeni populli im. Ecni në të gjitha udhët që do t'ju urdhëroj, që t'ju shkojë mbarë. Por ata nuk dëgjuan e nuk morën vesh. Përkundrazi, ndoqën shestimet kryeneçe të zemrës së tyre të ligë, prandaj u kthyen pas e nuk përparuan. Qëkurse etërit tuaj dolën nga Egjipti e deri më sot, ju kam dërguar pareshtur shërbëtorët e mi, profetët, por ata nuk dëgjuan, as morën vesh. Përkundrazi, u bënë kryeneçë e vepruan më keq se etërit e tyre”. Do t'u thuash të gjitha këto fjalë, por ata nuk do të të dëgjojnë. Do t'i thërrasësh, por ata nuk do të të përgjigjen. Atëherë do t'u thuash: “Ky është kombi që nuk e dëgjon zërin e ZOTIT, Perëndisë së vet, dhe nuk e pranon qortimin. Besnikëria ka marrë fund, është zhdukur nga goja e tyre. Qethi flokët e hidhi tej, vër kujën nëpër pllaja, se ZOTI e përzuri dhe e braktisi brezninë që e zemëroi”.
Jeremia 7:1-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë: "Ndalu te porta e shtëpisë së Zotit dhe aty shpall këtë fjalë duke thënë: Dëgjoni fjalën e Zotit, o ju të gjithë të Judës që hyni nëpër këto porta për të rënë përmbys përpara Zotit!". Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ndreqni rrugët dhe veprimet tuaja, dhe unë do të bëj që të banoni në këtë vend. Mos u besoni fjalëve mashtruese duke thënë: "Ky është tempulli i Zotit, tempulli i Zotit, tempulli i Zotit!". Në rast se ndreqni plotësisht rrugët dhe veprimet tuaja, në rast se e zbatoni me të vërtetë drejtësinë njëri ndaj tjetrit, në rast se nuk shtypni të huajin, jetimin dhe gruan e ve, nuk derdhni gjak të pafajshëm në këtë vend dhe nuk adhuroni perëndi të tjera në dëmin tuaj, atëherë do të bëj që të banoni në këtë vend, në vendin që u dhashë etërve tuaj prej shumë kohe dhe përgjithnjë. Ja, ju u besoni fjalëve mashtruese, nga të cilat s'keni fare dobi. Kështu ju vidhni, vrisni, shkelni kurorën, betoheni për të rremen, i digjni temjan Baalit dhe u shkoni pas perëndive të tjerë që më parë nuk i njihnit, dhe pastaj vini të paraqiteni para meje në këtë tempull që mban emrin tim dhe thoni: "Kemi shpëtuar!", pastaj kryeni tërë këto veprime të neveritshme. Ky tempull, i cili mban emrin tim, mos është bërë vallë në sytë e tuaj një çerdhe hajdutësh? Ja, unë e pashë këtë", thotë Zoti. "Por shkoni tani në vendin tim që ishte në Shiloh, të cilit në fillim i kisha vënë emrin tim dhe shikoni çfarë kam bërë aty për shkak të ligësisë së popullit tim Izrael. Dhe tani meqenëse keni kryer tërë këto gjëra", thotë Zoti, "meqenëse kur ju kam folur me urgjencë dhe insistim nuk më keni dëgjuar, dhe kur ju kam thirrur nuk më jeni përgjigjur, unë do të veproj me këtë tempull, në të cilin përmendet emri im dhe në të cilin keni besim, me këtë vend që ua dhashë juve dhe etërve tuaj, ashtu si bëra në Shiloh; dhe do t'ju dëboj nga prania ime, ashtu si dëbova tërë vëllezërit tuaj, tërë pasardhësit e Efraimit. Prandaj mos ndërhy për këtë popull, mos lësho për ata asnjë britmë ose lutje dhe mos ngul këmbë pranë meje se nuk do të kënaq. A nuk shikon çfarë po bëjnë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit? Bijtë mbledhin drutë, etërit ndezin zjarrin dhe gratë mbrujnë miellin për të përgatitur kulaç për mbretëreshën e qiellit, dhe pastaj u bëjnë libacione perëndive të tjera për të më zemëruar mua. Por a më ngacmojnë me të vërtetë", thotë Zoti "ose më mirë veten e tyre dhe mbulohen me turp?". Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, zemërimi im, tërbimi im do të bjerë mbi këtë vend, mbi njerëzit dhe kafshët, mbi drurët e fushës dhe mbi frytet e tokës dhe do të djegë pa u shuar". Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Shtojini holokaustet tuaja sakrificave tuaja dhe hani mishin e tyre! Sepse unë nuk u fola etërve tuaj dhe nuk u dhashë atyre asnjë urdhër, kur bëra që të dalin nga vendi i Egjiptit, për sa u përket holokausteve dhe flijimeve; por këtë urdhër u dhashë: "Dëgjoni zërin tim, dhe unë do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im; ecni në të gjitha rrugët që ju kam urdhëruar, që të jeni të lumtur". Por ata nuk dëgjuan as ma vunë veshin, por ecën sipas këshillave dhe kryeneçësisë së zemrës së tyre të keqe, dhe shkuan prapa dhe jo përpara. Nga dita në të cilën etërit tuaj dolën nga vendi i Egjiptit e deri më sot, ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët çdo ditë me urgjencë dhe insistim. Por ata nuk më kanë dëgjuar as ma vunë veshin, por e fortësuan zverkun e tyre dhe u sollën më keq se etërit e tyre. Prandaj ti do t'u thuash atyre tërë këto gjëra, por ata nuk do të dëgjojnë; do t'i thërrasësh, por nuk do të përgjigjen. Kështu do t'u thuash atyre: "Ky është kombi që nuk dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë së tij, dhe as pranon korrigjim; e vërteta është zhdukur dhe është eliminuar nga goja e tyre". Pri flokët dhe hidhi tutje, nise vajtimin mbi lartësitë, sepse Zoti ka hedhur poshtë dhe e ka braktisur brezin e zemërimit të tij.