Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 42:1-22

Jeremia 42:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Të gjithë prijësit ushtarakë, Johanani, biri i Kareahut, Jezaniahu, biri i Hoshajahut, dhe mbarë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, erdhën te profeti Jeremi e i thanë: «Mbaje parasysh lutjen tonë dhe lutju për ne ZOTIT, Perëndisë tënd, për tërë këtë tepricë, sepse prej shumë vetëve kemi mbetur pak, siç po na sheh vetë me sytë e tu. ZOTI, Perëndia yt, na e tregoftë udhën, në të cilën duhet të ecim dhe çfarë duhet të bëjmë». Profeti Jeremi u tha: «Mora vesh. Ja, do t'i lutem ZOTIT, Perëndisë tuaj, sipas fjalëve tuaja. Pastaj do t'ju tregoj gjithçka që ZOTI do të më përgjigjet për ju. Nuk do t'ju mbaj të fshehur asgjë». Atëherë ata i thanë Jeremisë: «ZOTI qoftë dëshmitar i vërtetë e besnik kundër nesh, nëse nuk do të veprojmë në përkim me gjithçka që ZOTI, Perëndia yt, do të të dërgojë për të na thënë si duhet të veprojmë. Mirë a keq, do ta dëgjojmë zërin e ZOTIT, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë, që të na bëhet mirë, për shkak se do ta dëgjojmë zërin e ZOTIT, Perëndisë tonë». Pas dhjetë ditësh, fjala e ZOTIT iu drejtua Jeremisë. Ai thirri Johananin, birin e Kareahut, të gjithë prijësit ushtarakë që ishin me të e mbarë popullin, nga më i vogli deri te më i madhi, e u tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat t'i paraqisja lutjen tuaj: nëse do të rrini në këtë vend, unë do t'ju ngre e nuk do t'ju rrëzoj, do t'ju mbjell e nuk do t'ju shkul, se më vjen keq për të keqen që ju kam bërë. Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë, që ju tremb. Mos kini frikë prej tij, kumton ZOTI, se unë do të jem me ju për t'ju shpëtuar e për t'ju çliruar prej dorës së tij. Unë do t'i kërkoj mëshirë për ju e ai do t'ju mëshirojë e do t'ju lërë në vendin tuaj. Por, nëse thoni: “Nuk do të rrimë në këtë tokë” dhe nuk do ta dëgjoni zërin e ZOTIT, Perëndisë tuaj, e thoni: “Jo, se do të shkojmë në dheun e Egjiptit, se atje nuk do të shohim luftë, nuk do ta dëgjojmë zërin e borisë, nuk do të kemi uri për bukë e atje do të banojmë”, atëherë, për këtë arsye, dëgjojeni fjalën e ZOTIT, o teprica e Judës. Kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Nëse vërtet vendosni të shkoni në Egjipt e shkoni atje për të banuar, shpata, së cilës i trembeni, do t'ju zërë atje, në dheun e Egjiptit. Edhe uria, prej së cilës ju ka zënë ankthi, do t'ju ndjekë atje në Egjipt e atje do të vdisni. Të gjithë njerëzit që do të kenë vendosur të shkojnë në Egjipt për të banuar atje, do të vdesin prej shpatës, prej urisë e prej murtajës. Askush prej tyre nuk do të shpëtojë e t'i ikë zezonës që unë do të dërgoj kundër tyre”. Se kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: “Siç u zbraz zemërimi im e tërbimi im kundër banorëve të Jerusalemit, ashtu do të zbrazet zemërimi im kundër jush pasi të keni shkuar në Egjipt. Ju do të bëheni mallkim, tmerr, nëmë e tallje dhe nuk do ta shihni më këtë vend”. ZOTI po ju thotë, o tepricë e Judës: mos shkoni në Egjipt. Dijeni mirë se sot po ju paralajmëroj, pasi rrezikuat jetën tuaj, kur më çuat te ZOTI, Perëndia juaj, e më thatë: lutju për ne ZOTIT, Perëndisë sonë, na thuaj gjithçka thotë ZOTI, Perëndia ynë, e ne do ta zbatojmë. Sot jua tregova, por ju nuk e dëgjoni zërin e ZOTIT, Perëndisë tuaj, për gjithçka që ai më dërgoi t'ju them. Prandaj dijeni mirë se do të vdisni prej shpatës, prej urisë e prej murtajës në vendin ku dëshironi të shkoni për të banuar».

Jeremia 42:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tërë krerët e forcave, Johanani, bir i Kareahut, Jezaniahu, bir i Hoshajahut, dhe tërë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, u afruan dhe i thanë profetit Jeremia: "Oh, arriftë lutja jonë para teje dhe lutju Zotit, Perëndisë tënd, për ne, për tërë këtë mbeturinë (sepse nga shumë që ishim kemi mbetur pak, si po e vë re me sytë e tu), me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të na tregojë udhën nëpër të cilën duhet të ecim dhe atë që duhet të bëjmë". Profeti Jeremia u tha atyre: "E mora vesh! Ja, do t'i lutem Zotit, Perëndisë tuaj, sipas fjalëve tuaja dhe do t'ju bëj të ditur tërë ato që Zoti do t'ju thotë; nuk do t'ju fsheh asgjë". Atëherë ata i thanë Jeremias: "Zoti le të jetë dëshmitar i vërtetë dhe besnik kundër nesh, po qe se ne nuk do të veprojmë sipas çdo fjale që Zoti, Perëndia yt, do të dërgojë të na thotë nëpërmjet teje. Qoftë përgjigjja e tij e pëlqyer ose e papëlqyer, ne do t'i bindemi zërit të Zotit, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë me qëllim që të na vinë të mira duke iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë tonë". Pas dhjetë ditësh ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Jeremias. Atëherë ai thirri Johananin, birin e Kareahut, tërë krerët e forcave që ishin bashkë me të dhe tërë popullin, nga më i vogli deri te më i madhi, dhe u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat me qëllim që t'i paraqitja lutjen tuaj: "Në rast se vazhdoni të rrini në këtë vend, unë do t'ju vendos dhe nuk do t'ju shkatërroj, do t'ju mbjell dhe nuk do t'ju çrrënjos, sepse po pendohem për mjerimin që kam sjellë mbi ju. Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë, prej të cilit trembeni; mos kini frikë prej tij", thotë Zoti, "sepse unë jam me ju, për t'ju shpëtuar dhe për t'ju çliruar nga dora e tij. Unë do të jem i mëshirshëm me ju me qëllim që edhe ai të jetë i mëshirshëm me ju dhe t'ju bëjë të ktheheni në vendin tuaj". Por në qoftë se, duke mos iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë tuaj, ju thoni: "Nuk duam të qëndrojmë në këtë vend", dhe thoni: "Jo, duam të shkojmë në vendin e Egjiptit, ku nuk do të shikojmë luftë as nuk do të dëgjojmë zërin e burisë dhe as nuk do të vuajmë më nga uria për bukë, dhe aty do të banojmë", e mirë, pra, dëgjoje atëherë fjalën e Zotit, o mbetje e Judës! Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Në rast se me të vërtetë keni vendosur të shkoni në Egjipt dhe shkoni aty për t'u ngulitur, shpata nga e cila keni frikë do t'ju arrijë aty, në vendin e Egjiptit, dhe uria prej së cilës kishit kaq frikë do t'ju ngjitet në trup atje në Egjipt dhe aty do të vdisni. Do të ndodhë, pra, që tërë ata që kanë vendosur të shkojnë në Egjipt për të banuar atje, do të vdesin nga shpata, nga uria apo nga murtaja. Asnjë prej tyre nuk do të mbetet gjallë dhe nuk do t'i shpëtojë kësaj fatkeqësie që unë do të sjell mbi ta". Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ashtu si zemërimi im dhe tërbimi im janë derdhur mbi banorët e Jeruzalemit, kështu tërbimi im do të derdhet mbi ju, kur të hyni në Egjipt, dhe do të bëheni objekt nëme, habie, mallkimi, turpi dhe nuk do ta shihni më këtë vend". O mbetje e Judës, Zoti ju thotë: "Mos shkoni në Egjipt!". Dijeni mirë që sot ju kam paralajmëruar në mënyrë solemne. Ju keni përdorur mashtrimin kundër vetes suaj, kur më dërguat tek Zoti, Perëndia juaj, duke thënë: "Lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë ato që ka për të thënë Zoti, Perëndia ynë, na i trego me besnikëri, dhe ne do t'i bëjmë". Unë ua bëra të ditur sot; por ju nuk i bindeni zërit të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe asgjëje nga ato që ka dërguar t'ju thotë nëpërmjet meje. Por dijeni mirë, pra, që ju do të vdisni nga shpata nga uria dhe nga murtaja në vendin ku dëshironi të shkoni për të banuar".