Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 16:10-18

Jeremia 16:10-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pasi t'ia shpallësh këtij populli të gjitha këto fjalë, do të të pyesin: “Pse e shpalli ZOTI tërë këtë zezonë të madhe kundër nesh? Cili është faji ynë e cili është mëkati që bëmë kundër ZOTIT, Perëndisë tonë?”. Atëherë ti do të përgjigjesh: “Sepse etërit tuaj më braktisën, kumton ZOTI, dhe ndoqën perënditë e tjerë, u shërbyen atyre e i adhuruan, më braktisën e nuk e mbajtën ligjin tim, dhe ju vepruat më keq se etërit tuaj. Ja, secili prej jush shkon me kryeneçësi sipas zemrës së vet të ligë e nuk më dëgjon mua. Prandaj do t'ju flak nga kjo tokë, drejt një toke që nuk e keni njohur as ju, as etërit tuaj, dhe aty do t'u shërbeni ditë e natë perëndive të huaj, sepse nuk do t'ju përkrah më”». «Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton ZOTI, kur nuk do të thuhet më: “Pasha Zotin që i nxori izraelitët nga dheu i Egjiptit”, por: “Pasha ZOTIN që i nxori izraelitët nga dheu i veriut e nga të gjitha vendet ku i pati dëbuar”. E unë do t'i kthej në tokën e vet, që ua pata dhënë etërve të tyre. Ja, do t'u dërgoj peshkatarë të shumtë për t'i peshkuar, kumton ZOTI. Pastaj do t'u dërgoj gjuetarë të shumtë për t'i gjuajtur prej çdo mali, prej çdo kodre e prej të çarave të shkëmbinjve, sepse sytë e mi i shikojnë të gjitha udhët e tyre. Nuk fshihen dot prej meje e faji i tyre nuk u shpëton syve të mi. Së pari, do ta shpaguaj dyfish fajin e tyre dhe mëkatin e tyre, se e përdhosën tokën time me kufomat e idhujve të tyre dhe e mbushën trashëgiminë time me pështirësitë e tyre».

Jeremia 16:10-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe ka për të ndodhur që kur t'i shpallësh këtij populli tërë këto gjëra, do të të thonë: "Pse Zoti ka shqiptuar kundër nesh tërë këtë mjerim të madh? Cila është paudhësia jonë? Cili është mëkati që kemi kryer kundër Zotit, Perëndisë tonë?". Atëherë ti do t'u përgjigjesh atyre: Sepse etërit tuaj më kanë braktisur", thotë Zoti, "kanë shkuar pas perëndive të tjera, u kanë shërbyer dhe kanë rënë përmbys para tyre, më kanë braktisur mua dhe nuk kanë respektuar ligjin tim. Dhe ju keni vepruar më keq se etërit tuaj, sepse ja, secili vepron sipas kryeneçësisë së zemrës së tij të keqe dhe nuk pranon të më dëgjojë. Prandaj unë do t'ju dëboj nga ky vend në një vend që as ju, as etërit tuaj nuk keni njohur dhe atje do t'u shërbeni perëndive të tjera ditën e natën, sepse unë nuk do t'ju fal". "Prandaj ja, po vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat nuk do të thuhet më: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit", por: "Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i veriut dhe nga tërë vendet ku i kishte shpërndarë". Dhe unë do t'i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të tyre. Ja, unë do të dërgoj një numër të madh peshkatarësh për t'i peshkuar", thotë Zoti, "dhe pastaj do të dërgoj një numër të madh gjahtarësh për t'i gjuajtur në çdo mal, në çdo kodër dhe në të çarat e shkëmbinjve. Sepse sytë e mi janë mbi të gjitha rrugët e tyre, që nuk janë të fshehura nga fytyra ime, dhe paudhësitë e tyre nuk mbeten të fshehura para syve të mi. Para së gjithash do t'i shpaguaj dyfish për paudhësinë dhe mëkatin e tyre, sepse kanë përdhosur vendin tim me kufomat e idhujve të tyre të neveritshëm dhe e kanë mbushur trashëgiminë time me gjërat e tyre të neveritshme".