Gjyqtarët 6:33-40
Gjyqtarët 6:33-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Të gjithë midianitët, amalekitët dhe popujt e lindjes u mblodhën bashkë, kaluan Jordanin dhe fushuan në luginën e Izrelit. Atëherë shpirti i ZOTIT e mbuloi Gideonin dhe ai i ra bririt të dashit për të thirrur abiezeritët që t'i shkonin pas. Dërgoi lajmëtarë në mbarë Manaseun dhe i thirri pasardhësit e Manaseut që t'i shkonin pas. Dërgoi lajmëtarë edhe në Asher, në Zabulon dhe në Neftali dhe ata shkuan e u bashkuan me të. Atëherë Gideoni i tha Perëndisë: «Nëse do ta shpëtosh Izraelin përmes dorës sime, sikurse the, do të vë një shtëllungë leshi në lëmë. Po të ketë vesë vetëm mbi shtëllungën e leshit, ndërkohë që gjithë vendi përreth shtëllungës mbetet i thatë, atëherë do ta di se do ta shpëtosh me të vërtetë Izraelin përmes dorës sime». Dhe ashtu ndodhi. Të nesërmen Gideoni u ngrit herët, shtrydhi shtëllungën e leshit dhe prej saj doli një kupë ujë. Dhe Gideoni i tha Perëndisë: «Mos u zemëro me mua, por do të flas edhe një herë. Më lejo ta bëj edhe një herë provën e shtëllungës. Këtë herë, të lutem, le të jetë e thatë shtëllunga e leshit, ndërsa vendi përreth saj le të laget nga vesa». Dhe ashtu bëri Perëndia. Atë natë ra vesë mbi mbarë vendin, por shtëllunga e leshit mbeti e thatë.
Gjyqtarët 6:33-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tërë midianitët, amalekitët dhe bijtë e lindjes u mblodhën, kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në luginën e Jezreelit. Por Fryma e Zotit depërtoi te Gedeoni që i ra borisë; dhe abiezeritët u thirrën që t'i shkonin pas. Ai dërgoi lajmëtarë edhe në tërë Manasin, i cili u thirr gjithashtu që t'i shkonte pas; dërgoi lajmëtarë edhe te fiset e Asherit, të Zabulonit dhe të Neftalit, të cilët u nisën për të takuar të tjerët. Pastaj Gedeoni i tha Perëndisë: "Në rast se ke ndër mend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, siç ke thënë, ja, unë do të vë një gëzof me lesh te lëmi: në rast se do të ketë vesë vetëm mbi gëzofin dhe gjithë vendi rreth e qark do të mbetet i thatë, atëherë do të kuptoj se ke ndërmend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, ashtu si ke thënë". Dhe kështu ndodhi. Të nesërmen në mëngjes Gedeoni u ngrit herët, shtrydhi gëzofin dhe prej tij doli një kupë plot me ujë. Por Gedeoni i tha akoma Perëndisë: Mos u ndeztë zemërimi yt kundër meje; unë do të flas edhe një herë. Më lër ta bëj provën edhe një herë tjetër vetëm. Le të mbetet i thatë vetëm gëzofi dhe të ketë vesë mbi të gjithë vendin rreth e qark". Dhe Perëndia veproi ashtu atë natë; vetëm gëzofi mbeti i thatë, dhe pati vesë mbi të gjithë tokën rreth e qark.