Gjyqtarët 6:17-24
Gjyqtarët 6:17-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Atëherë Gideoni i tha: «Nëse kam gjetur hir para teje, më jep një shenjë se je ti që po flet me mua. Mos u largo prej këndej derisa të kthehem e të të vë përpara një fli kushtimi». Ai i tha: «Po të pres derisa të kthehesh». Gideoni shkoi e përgatiti një kec e disa kuleç të ndormë me tridhjetë kilogramë miell. Mishin e vuri në një shportë, ndërsa lëngun e mishit në një poçe balte dhe ia solli e ia shtroi përpara nën lis. Atëherë engjëlli i Perëndisë i tha: «Merre mishin dhe kuleçtë e ndormë, vëri mbi atë shkëmb e derdh mbi ta lëngun e mishit». Gideoni bëri si i tha. Pastaj engjëlli i ZOTIT shtriu shkopin që mbante në dorë dhe me majën e tij preku mishin dhe kuleçtë e ndormë. Nga shkëmbi doli zjarr, që e përpiu mishin me gjithë kuleçtë e ndormë. Atëherë engjëlli i ZOTIT u zhduk nga sytë e Gideonit. Gideoni kuptoi se kishte qenë engjëlli i ZOTIT e tha: «Mjerë unë, o ZOT, Zoti im! Pashë engjëllin e ZOTIT ballë për ballë». ZOTI i tha: «Paqja qoftë me ty! Mos ki frikë, s'ke për të vdekur». Gideoni ndërtoi atje një altar për ZOTIN dhe e quajti «Zoti është paqe». Ky altar gjendet edhe sot e kësaj dite në Ofrah të abiezeritëve.
Gjyqtarët 6:17-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Gedeoni i tha: "Në rast se kam gjetur hirin tënd, më jep një shenjë se je ti ai që flet me mua. Mos u largo, pra, që këtej para se të kthehem te ti, të të sjell blatimin e ushqimit dhe të ta vë përpara". Zoti tha: "Do të pres sa të kthehesh ti". Atëherë Gedeoni hyri në shtëpi dhe përgatiti një kec dhe kuleç pa maja me një efa miell; e vuri mishin në një shportë dhe lëngun në një kusi, ia çoi atij nën lisin dhe ia ofroi. Engjëlli i Zotit i tha: "Merre mishin dhe kuleçtë pa maja, vendosi mbi këtë shkëmb dhe derdh mbi to lëngun e mishit". Dhe ai veproi kështu. Atëherë Engjëlli i Zotit shtriu majën e bastunit që kishte në dorë dhe preku mishin dhe kuleçtë pa maja; e nga shkëmbi u ngrit një flakë që dogji mishin dhe kuleçtë pa maja; pastaj Engjëlli i Zotit u zhduk nga sytë e tij. Kështu Gedeoni e kuptoi se kishte të bënte me Engjëllin e Zotit dhe tha: "Vaj medet, o Zot, o Zot! Sepse e pashë Engjëllin e Zotit sy në sy!". Zoti i tha: "Paqja qoftë me ty, mos ki frikë, s'ke për të vdekur!". Atëherë Gedeoni ndërtoi një altar për Zotin dhe e quajti "Jehovah Shalom". Ai gjendet edhe sot në Ofrahun e abiezeritëve.