Gjyqtarët 6:11-18
Gjyqtarët 6:11-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Engjëlli i ZOTIT erdhi në Ofrah dhe u ul nën lisin e Joashit që ishte nga klani i Abiezerit. Gideoni, biri i Joashit, po pastronte grurin dhe po e fshihte në tork, për ta shpëtuar nga midianitët. Atëherë engjëlli i ZOTIT iu shfaq e i tha: «ZOTI qoftë me ty, o luftëtar trim!». Gideoni iu përgjigj: «Më fal, imzot, por nëse ZOTI është me ne, përse na ndodhën të gjitha këto? Ku janë gjithë ato mrekulli, për të cilat na kanë folur etërit tanë, kur na thoshin se ZOTI na ka nxjerrë nga Egjipti? E, pra, tani ZOTI na ka braktisur e na ka dorëzuar te midianitët». Atëherë ZOTI u kthye nga ai e i tha: «I fortë siç je, shko e çliroje Izraelin nga zgjedha e midianitëve. Po të dërgoj unë». Gideoni iu përgjigj: «Më fal, Zoti im, por si do ta çliruakam unë Izraelin? Familja ime është familja më e dobët e Manaseut dhe unë jam më i vogli i shtëpisë së tim eti». ZOTI i tha: «Do të jem unë me ty. Ke për t'i mposhtur midianitët si të ishin një njeri i vetëm». Atëherë Gideoni i tha: «Nëse kam gjetur hir para teje, më jep një shenjë se je ti që po flet me mua. Mos u largo prej këndej derisa të kthehem e të të vë përpara një fli kushtimi». Ai i tha: «Po të pres derisa të kthehesh».
Gjyqtarët 6:11-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj erdhi Engjëlli i Zotit dhe u ul nën lisin e Ofrahut, që i përkiste Joashit, abiezeritit, ndërsa biri i tij Gedeoni shtinte grurin në një vend të ngushtë për ta shpëtuar nga midianitët. Engjëlli i Zotit iu shfaq dhe i tha: "Zoti është me ty, o luftëtar trim!". Gedeoni iu përgjigj: "Imzot, në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto? Ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: "A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?". Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka lënë në duart e Midianit". Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: "Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Midianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?". Ai iu përgjigj: "O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit, dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim". Zoti i tha: "Por unë do të jem me ty dhe ti ke për t'i mundur midianitët sikur ata të ishin një njeri i vetëm". Atëherë Gedeoni i tha: "Në rast se kam gjetur hirin tënd, më jep një shenjë se je ti ai që flet me mua. Mos u largo, pra, që këtej para se të kthehem te ti, të të sjell blatimin e ushqimit dhe të ta vë përpara". Zoti tha: "Do të pres sa të kthehesh ti".