Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 6:1-16

Gjyqtarët 6:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Izraelitët bënë sërish çka është keq në sytë e ZOTIT dhe ZOTI i dorëzoi te midianitët për shtatë vjet. Sundimi i midianitëve mbi Izraelin sa vinte e bëhej më i ashpër. Nga frika e tyre, izraelitët u strukën nëpër guva, shpella e fortesa malesh. Kur izraelitët mbillnin arat, vinin midianitët, amalekitët e popuj të tjerë të lindjes, ngrinin fushimin në tokat e tyre dhe i shkatërronin të gjitha prodhimet bujqësore deri në hyrje të Gazës, duke i lënë izraelitët pa ushqim, pa dele, pa lopë e pa gomarë. Vinin me gjithë bagëti dhe kishin aq shumë tenda, sa ngjanin me karkaleca. Ishin aq të shumtë dhe kishin aq shumë deve, sa nuk i numëroje dot. E zinin tokën dhe e shkatërronin. Izraeli ra në mjerim të thellë për shkak të midianitëve, prandaj izraelitët thirrën në ndihmë ZOTIN. Izraelitët thirrën në ndihmë ZOTIN për shkak të midianitëve dhe ZOTI u dërgoi një profet, i cili u tha: «Kështu thotë ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë. Ju çlirova nga dora e egjiptianëve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin. I dëbova para jush dhe ju dhashë tokën e tyre. Ju thashë se unë jam ZOTI, Perëndia juaj dhe të mos i druani perënditë e amoritëve, në tokën e të cilëve banoni, por ju nuk më dëgjuat”». Engjëlli i ZOTIT erdhi në Ofrah dhe u ul nën lisin e Joashit që ishte nga klani i Abiezerit. Gideoni, biri i Joashit, po pastronte grurin dhe po e fshihte në tork, për ta shpëtuar nga midianitët. Atëherë engjëlli i ZOTIT iu shfaq e i tha: «ZOTI qoftë me ty, o luftëtar trim!». Gideoni iu përgjigj: «Më fal, imzot, por nëse ZOTI është me ne, përse na ndodhën të gjitha këto? Ku janë gjithë ato mrekulli, për të cilat na kanë folur etërit tanë, kur na thoshin se ZOTI na ka nxjerrë nga Egjipti? E, pra, tani ZOTI na ka braktisur e na ka dorëzuar te midianitët». Atëherë ZOTI u kthye nga ai e i tha: «I fortë siç je, shko e çliroje Izraelin nga zgjedha e midianitëve. Po të dërgoj unë». Gideoni iu përgjigj: «Më fal, Zoti im, por si do ta çliruakam unë Izraelin? Familja ime është familja më e dobët e Manaseut dhe unë jam më i vogli i shtëpisë së tim eti». ZOTI i tha: «Do të jem unë me ty. Ke për t'i mposhtur midianitët si të ishin një njeri i vetëm».

Gjyqtarët 6:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe Zotit i dha në duart e Midianit shtatë vjet me radhë. Dora e Midianit u bë e fortë kundër Izraelit; nga frika e midianitëve, bijtë e Izraelit bënë shpella në male, si dhe guva dhe fortesa. Kur Izraeli mbaronte së mbjelli, midianitët bashkë me amalekitët dhe bijtë e lindjes niseshin kundër tij, e ngrinin kampin e tyre kundër izraelitëve, shkatërronin të gjitha prodhimet e vendit deri në Gaza dhe nuk linin në Izrael as mjete jetese, as dhen, as lopë, as gomarë. Sepse niseshin me bagëtinë e tyre dhe me çadrat e tyre, dhe arrinin të shumtë si karkalecat; ata dhe devetë e tyre ishin të panumërt dhe vinin në vend për ta shkatërruar. Kështu Izraeli u katandis në një varfëri të madhe për shkak të Midianit, dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit. Kur bijtë e Izraelit e thirrën Zotin për shkak të Midianit, Zoti u dërgoi bijve të Izraelit një profet, që u tha atyre: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë; ju çlirova nga dora e egjiptasve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin; i dëbova para jush dhe ju dhashë vendin e tyre, dhe ju thashë: "Unë jam Zoti, Perëndia i juaj; mos kini frikë nga perënditë e amorenjve në vendin e të cilëve banoni"; por ju nuk ma keni dëgjuar fjalën". Pastaj erdhi Engjëlli i Zotit dhe u ul nën lisin e Ofrahut, që i përkiste Joashit, abiezeritit, ndërsa biri i tij Gedeoni shtinte grurin në një vend të ngushtë për ta shpëtuar nga midianitët. Engjëlli i Zotit iu shfaq dhe i tha: "Zoti është me ty, o luftëtar trim!". Gedeoni iu përgjigj: "Imzot, në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto? Ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: "A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?". Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka lënë në duart e Midianit". Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: "Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Midianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?". Ai iu përgjigj: "O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit, dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim". Zoti i tha: "Por unë do të jem me ty dhe ti ke për t'i mundur midianitët sikur ata të ishin një njeri i vetëm".