Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 4:4-22

Gjyqtarët 4:4-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Asokohe gjyqtare në Izrael ishte një profeteshë, Debora, gruaja e Lapidotit. Ajo rrinte nën një palmë, që njihej si palma e Deborës dhe ndodhej midis Ramahut dhe Betelit, në malësinë e Efraimit. Izraelitët shkonin tek ajo për të kërkuar gjykimin e saj. Ajo dërgoi të thërrasin Barakun, birin e Abinoamit, nga Kedeshi i Neftaliut, e i tha: «Kështu të urdhëron ZOTI, Perëndia i Izraelit: “Marsho drejt malit Tabor e merr me vete dhjetë mijë burra nga fisit i Neftaliut dhe nga fisi i Zabulonit. Do ta bëj Siserin, komandantin e ushtrisë së Jabinit, të vijë te ti në përroin e Kishonit, bashkë me qerret dhe trupat e tij, dhe do të ta dorëzoj”». Baraku iu përgjigj: «Do të shkoj po të vish edhe ti me mua. Po nuk erdhe ti, nuk kam për të shkuar». Debora i tha: «Do të vij me ty, por nderi për sulmin nuk do të të mbetet ty, sepse ZOTI do ta dorëzojë Siserin në duart e një gruaje». Debora u ngrit e shkoi me Barakun në Kedesh. Baraku thirri fisin e Zabulonit dhe të Neftaliut në Kedesh e u nis me dhjetë mijë luftëtarë. Me ta shkoi edhe Debora. Pranë Kedeshit jetonte Heber Keniti. Ai ishte ndarë nga kenitët e tjerë, pasardhës të Hobabit, vjehrrit të Moisiut, dhe e kishte ngritur tendën pranë Lisit të Cananimit. Siserit i thanë se Baraku, biri i Abinoamit, ishte ngjitur në malin Tabor. Atëherë Siseri mblodhi të nëntëqind qerret që kishte e të gjithë ushtrinë dhe marshoi nga Haroshet Gojimi në përroin e Kishonit. Debora i tha Barakut: «Ngrihu, sepse sot ZOTI do të ta dorëzojë Siserin. Ja, vetë ZOTI po marshon para teje». Baraku zbriti prej malit Tabor në krye të dhjetë mijë burrave. Atëherë ZOTI e hutoi Siserin dhe e shpartalloi me shpatë ushtrinë dhe qerret e tij para syve të Barakut. Siseri zbriti nga qerrja dhe mori arratinë në këmbë. Baraku i ndoqi qerret dhe ushtrinë e Siserit deri në Haroshet Gojim. E gjithë ushtria e Siserit u shfaros nga tehu i shpatës dhe nuk mbeti njeri gjallë. Ndërkohë Siseri kishte mbërritur në këmbë te tenda e Jaelës, gruas së Heber Kenitit. Jabini, mbreti i Hacorit, ishte në paqe me shtëpinë e Heber Kenitit. Jaela doli për të takuar Siserin e i tha: «Eja, hyr brenda, imzot! Eja, hyr brenda e mos ki frikë!». Siseri hyri në tendën e Jaelës dhe ajo i hodhi sipër një mbulojë. Siseri i tha Jaelës: «Më jep pak ujë për të pirë, sepse kam etje». Ajo hapi calikun e qumështit dhe i dha për të pirë. Pastaj e mbuloi. Siseri i tha: «Qëndro te hyrja e tendës dhe po të të pyesë kush në ka njeri brenda, thuaji “jo”». Siserin e zuri një gjumë i thellë. Jaela, gruaja e Heberit, mori një kunj tende dhe një çekiç, u afrua pa bërë zë dhe ia nguli kunjin në tëmth. Kunji u ngul deri në tokë dhe Siseri vdiq. Atë çast mbërriti Baraku, që ishte vënë në ndjekje të Siserit. Jaela doli për ta takuar e i tha: «Eja të të tregoj njeriun që kërkon». Baraku hyri në tendë dhe pa Siserin tek dergjej i vdekur me kunjin të ngulur në tëmth.

Gjyqtarët 4:4-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në atë kohë gjyqtare e Izraelit ishte një profete, Debora, gruaja e Lapidothit. Ajo e kishte zakon të ulej nën palmën e Deboras, midis Ramahut dhe Bethelit, në krahinën malore të Efraimit, dhe bijtë e Izraelit vinin tek ajo për të kërkuar të drejtën. Ajo dërgoi të thërrasë Barakun, birin e Abinoamit, nga Kedeshi i Neftalit, dhe i tha: "A nuk të ka urdhëruar Zoti, Perëndia i Izraelit: "Shko, marsho mbi malin Tabor dhe merr me vete dhjetë mijë burra nga bijtë e Neftalit dhe të Zabulonit. Unë do të tërheq në drejtimin tënd, në përruan Kishon, Siseran, komandantin e ushtrisë së Jabinit, me gjithë qerret dhe trupat e tij të shumta, dhe do të ta dorëzoj në dorën tënde"?". Baraku iu përgjigj: "Në rast se vjen me mua, unë do të shkoj; por në qoftë se ti nuk vjen me mua, nuk kam për të shkuar". Ajo tha: "Do të vij me siguri me ty; megjithatë në rrugën që je duke ndërmarrë nuk ke për të siguruar asnjë lavdi për vete, sepse Zoti do ta dorëzojë Siseran në duart e një gruaje". Pastaj Debora u ngrit dhe shkoi me Barakun në Kadesh. Baraku thirri Zabulonin dhe Neftalin në Kedesh; ai lëvizi në krye të dhjetë mijë burrave, dhe Debora shkoi bashkë me të. Heberi, keneu, ishte ndarë nga kenenjtë, pasardhës të Hobabit, vjehrrit të Moisiut, dhe i kishte ngritur çadrat e tij në lisin e Tsaanaimit, që ndodhet pranë Kedeshit. Siseras i thanë që Baraku, bir i Abinoamit, ishte ngjitur në malin Tabor. Kështu Sisera rreshtoi tërë qerret e tij, njëqind qerre të hekurta, dhe tërë njerëzit që ishin me të, nga Haroshethi i kombeve deri në përruan e Kishonit. Atëherë Debora i tha Barakut: "Çohu, sepse kjo është dita që Zoti e dorëzoi Siseran në dorën tënde. A nuk ka dalë vallë, Zoti para teje?". Kështu Baraku zbriti nga mali Tabor, i pasuar nga dhjetë mijë burra. Zoti e mundi Siseran, të gjitha qerret dhe tërë ushtrinë e tij, që u shfaros me shpatë përpara Barakut; por Sisera zbriti nga qerrja dhe iku me këmbë. Por Baraku i ndoqi qerret dhe ushtrinë deri në Harosheth të kombeve; dhe tërë ushtria e Siseras u shkatërrua nga goditjet me shpatë; nuk shpëtoi as edhe një njeri. Ndërkaq Sisera kishte ikur më këmbë në drejtim të çadrës së Jaelës, gruas së Heberit, keneut, sepse mbretëronte paqja midis Jabinit, mbretit të Hatsorit, dhe shtëpisë së Heberit, keneut. Atëherë Jaela doli për të pritur Siseran dhe i tha: "Hyr, zotëria im, hyr tek unë; mos ki frikë". Kështu ai hyri tek ajo në çadër, dhe ajo e mbuloi me një mbulesë. Pastaj ai i tha: "Më jep pak ujë për të pirë se kam etje". Kështu ajo hapi calikun e qumështit dhe i dha për të pirë; pastaj e mbuloi. Ai i tha: "Qëndro në hyrje të çadrës; dhe në rast se vjen dikush dhe të pyet: "A ka njeri këtu?", ti do të thuash: "Nuk ka njeri"". Atëherë Jaela, gruaja e Heberit, mori një kunj të çadrës dhe një çekiç, iu afrua ngadalë atij dhe i nguli në tëmth kunjin, që u fut në tokë. Atë e kishte zënë një gjumë i thellë; ishte i sfilitur; dhe kështu vdiq. Por ja, ndërsa Baraku ndiqte Siseran, Jaela doli për ta takuar dhe i tha: "Eja me mua dhe do të të tregojë njeriun që kërkon". Ai hyri në çadrën e saj dhe ja, Sisera dergjej i vdekur me kunjin në tëmthat.