Gjyqtarët 4:17-24
Gjyqtarët 4:17-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ndërkohë Siseri kishte mbërritur në këmbë te tenda e Jaelës, gruas së Heber Kenitit. Jabini, mbreti i Hacorit, ishte në paqe me shtëpinë e Heber Kenitit. Jaela doli për të takuar Siserin e i tha: «Eja, hyr brenda, imzot! Eja, hyr brenda e mos ki frikë!». Siseri hyri në tendën e Jaelës dhe ajo i hodhi sipër një mbulojë. Siseri i tha Jaelës: «Më jep pak ujë për të pirë, sepse kam etje». Ajo hapi calikun e qumështit dhe i dha për të pirë. Pastaj e mbuloi. Siseri i tha: «Qëndro te hyrja e tendës dhe po të të pyesë kush në ka njeri brenda, thuaji “jo”». Siserin e zuri një gjumë i thellë. Jaela, gruaja e Heberit, mori një kunj tende dhe një çekiç, u afrua pa bërë zë dhe ia nguli kunjin në tëmth. Kunji u ngul deri në tokë dhe Siseri vdiq. Atë çast mbërriti Baraku, që ishte vënë në ndjekje të Siserit. Jaela doli për ta takuar e i tha: «Eja të të tregoj njeriun që kërkon». Baraku hyri në tendë dhe pa Siserin tek dergjej i vdekur me kunjin të ngulur në tëmth. Atë ditë Perëndia e poshtëroi Jabinin, mbretin e Kanaanit, para izraelitëve. Izraelitët u bënë gjithnjë e më të fortë përballë Jabinit, mbretit të Kanaanit, derisa e shkatërruan plotësisht.
Gjyqtarët 4:17-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ndërkaq Sisera kishte ikur më këmbë në drejtim të çadrës së Jaelës, gruas së Heberit, keneut, sepse mbretëronte paqja midis Jabinit, mbretit të Hatsorit, dhe shtëpisë së Heberit, keneut. Atëherë Jaela doli për të pritur Siseran dhe i tha: "Hyr, zotëria im, hyr tek unë; mos ki frikë". Kështu ai hyri tek ajo në çadër, dhe ajo e mbuloi me një mbulesë. Pastaj ai i tha: "Më jep pak ujë për të pirë se kam etje". Kështu ajo hapi calikun e qumështit dhe i dha për të pirë; pastaj e mbuloi. Ai i tha: "Qëndro në hyrje të çadrës; dhe në rast se vjen dikush dhe të pyet: "A ka njeri këtu?", ti do të thuash: "Nuk ka njeri"". Atëherë Jaela, gruaja e Heberit, mori një kunj të çadrës dhe një çekiç, iu afrua ngadalë atij dhe i nguli në tëmth kunjin, që u fut në tokë. Atë e kishte zënë një gjumë i thellë; ishte i sfilitur; dhe kështu vdiq. Por ja, ndërsa Baraku ndiqte Siseran, Jaela doli për ta takuar dhe i tha: "Eja me mua dhe do të të tregojë njeriun që kërkon". Ai hyri në çadrën e saj dhe ja, Sisera dergjej i vdekur me kunjin në tëmthat. Kështu atë ditë Perëndia e poshtëroi Jabin, mbretin e Kanaanit, përpara bijve të Izraelit. Dora e bijve të Izraelit u bë gjithnjë më e rëndë mbi Jabin, mbretin e Kanaanit, derisa arritën ta shkatërronin plotësisht Jabin, mbretin e Kanaanit.